Disa media në Serbi dhe në Maqedoni raportuan që Ministria e punëve të jashtme e Serbisë ka dhënë mbështetje financiare për të paktën një nga aktivitete e Shoqatës së serbëve në Maqedoni “Paqe, harmoni dhe stabilitet”, e cila organizoi një tubim në mbështetje të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç më 23 maj në Kumanovë. Sipas të dhënave të disponueshme publikisht, në prill të këtij viti, kjo shoqatë mori rreth 3,400 euro.

Portali serb “Nova Ekonomija” nxori një dokument në të cilin shoqata e themeluar më 30.06.2022, është në listën e organizatave që kanë marrë ndihmë financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Milena Veliçkoviq, pjesëtare e grupit organizator nga Shoqata “Paqe, harmoni dhe stabilitet” duke u përgjigjur shkurt atë ditë, thoshte se të ardhurat mblidhen nga pagesat e anëtarësimit në shoqatë.

  • “Prej nga financoheni si Shoqatë?
    -Si e mendoni! Me vetëfinancim anëtarët! Ne paguajmë anëtarësim vetë pjesëtarët e shoqatës!”

Ndonëse u mbajt para Konsullatës serbe në Kumanovë, në tubim nuk ishte i pranishëm konsulli i nderit Vlladimir Stajiq e as zëvendëskryeministri dhe Ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Ivan Stoilkoviq.

“Unë kam lindur atje poshtë ku rrjedh Drini unë jam djalë nga Kosova dhe krenoh em me këtë!
Unë jam këtu për Kosovën dhe e dua atë vend!

Ajo që zgjoi reagime në publik ishin këngët ku përmendej Kosova, për të cilat Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali tha se ato këngë ishin nostalgjike dhe nuk përkojnë me realitetin e sotshëm. Ai tha se nuk prekin raportet që vendi ynë ka me Republikën e Kosovës.

“Dihet qartë qëndrimi jonë si Qeveri për raportet tona me Kosovën, përkrahjen dhe bashkëpunimin që e kemi, komunikimet në nivelin më të lartë dhe më të mirë të mundshëm që e kemi me Kosovën, bashkëpunimi në nivel të duhur kështu që nuk e shoh të arsyeshme të merremi me një numër të vogël, minor prej 100 veta që janë mbledh në Kumanovë në përkrahje të Presidentit Vuçiq”, tha Bekim Sali, Zëvendëskryeministri i Parë

Ndryshe të shtunën në Kumanovë u mblodhën qindra banorë të komunitetit serb nga disa qytete të vendit për të shprehur mbështetje për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një tubim të organizuar nga shoqata “Paqe, Harmoni dhe Stabilitet”. Tubimi u mbajt në të njëjtën ditë kur në sheshin “Sllavija” në Beograd u mbajt protesta masive studentore nga grupi joformal “Studentët në bllokadë”.