Kuvendi zgjodhi ministrat e rinj në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë me në krye kryeministrin Hristijan Mickoski.
Ministrat e rinj janë:
- Jeton Shasivari – ministër i Drejtësisë (VLEN)
- Borçe Serafimovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (ZNAM)
- Agon Ferati – ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive (VLEN)
- Sasho Klekovski – ministër i Shëndetësisë (VMRO-DPMNE)
- Sedat Sulejmani – ministër i Kulturës dhe Turizmit (VLEN)
- Gjoko Velkovski – ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (VMRO-DPMNE)
- Ivan Stoilkoviq – ministër i Vetëqeverisjes Lokale (DPSM)
- Erxhan Demir – ministër pa resor (VMRO-DPMNE).
Të gjithë ministrat u zgjodhën me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur.
Para votimit, Kuvendi shkarkoi ministrat e deritanishëm: Igor Fillkov (Drejtësi), Cvetan Tripunovski (Bujqësi), Igor Stoilkoviq (Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive), Azir Aliu (Shëndetësi), Zoran Ljutkov (Kulturë dhe Turizëm), Fatmir Limani (Politikë Sociale, Demografi dhe Rini), Zlatko Perinski (Vetëqeverisje Lokale) dhe Shaban Saliu (ministër pa resor). Gjithashtu u shkarkuan zëvendësministrat Gjoko Velkovski dhe Sedat Sulejmani, të cilët tashmë morën postet e ministrave.
Gjatë seancës pati përplasje mes pushtetit dhe opozitës, pasi opozita kërkoi kërkimfalje nga Ivan Stoilkoviq për fyerje të drejtuara ndaj disa deputetëve. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ndërpreu disa herë seancën për koordinim, por pas mosplotësimit të kërkesave, deputetët e Aleancës për Shqiptarët, BDI-së dhe LSDM-së e braktisën seancën.
Rikonstruimi i Qeverisë vjen në mesin e mandatit të kryeministrit Mickoski. Ai ka paralajmëruar se zgjedhja e zëvendësministrave do të bëhet në shtator.
