Pas 13-të sezonesh te Real Madrid, periudhë gjatë së cilës mbajti edhe shiritin e kapitenit, Dani Carvajal vendosi ta kthejë faqen këtë verë, duke u transferuar te Getafe.

Mbrojtësi 34-vjeçar, zbuloi arsyen e largimit nga ajo që ishte bërë shtëpia e tij futbollistike. Shkurtimisht, ai tha se bëhej fjalë për kalimin e tij gradual në një “banor të përhershëm” të stolit.

“Që nga momenti kur u riktheva pas operacionit artroskopik në tetor, diku rreth janarit ose shkurtit, rëndësia ime në fushë filloi të zbehej,” shpjegoi Carvajal.

“Në fund të sezonit, përfaqësuesit e mi dhe klubi biseduan, dhe vendosëm se ndarja ishte zgjidhja më e mirë,” rrëfeu Carvajal.

Pas dy sezonesh të shoqëruara nga dëmtime dhe humbja e vendit si titullar, mbrojtësi spanjoll nuk ishte i gatshëm të mjaftohej me një rol dytësor: “Gjatë dy viteve të fundit, për shkak të dëmtimit, më kishte munguar futbolli dhe doja të ndihesha sërish si lojtar.”

Kalimi te Getafe erdhi kryesisht nga dëshira për të vazhduar të luajë në La Liga. “Ishte një vendim shumë instinktiv. Futbolli është jeta ime. Besoj se kam ende disa vite përpara dhe dua t’i shijoj ato,” theksoi Carvajal.

Dëshira për të qëndruar pranë kryeqytetit spanjoll luajti rol të rëndësishëm: “Sigurisht, nuk erdha te Getafe për parà. Thjesht doja të luaja futboll.”

Tani, në vend që të garojë për trofetë më të lakmuar të sezonit, ish-lojtari i Real Madrid do të duhet të përballet me presionin e luftës për mbijetesë.

The post Lamtumira nga Real Madrid, rrëfehet Carvajal: Po bëhesha gjithnjë e më i padobishëm për ekipin appeared first on Telesport.