Drejtori i MEPSO, Burim Latifi bëri të ditur se në trafostacionin e Ohrit, priti u.d. ambasadoren e SHBA-ve Nicole Warns, që siç tha, gjatë këtij takimi i prezantoi progresin e projektit për ndërlidhjen energjetike të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, projekt ky që Latifi tha është pritur me dekada. Ai tha se ndërlidhja me Shqipërinë përmes linjës së transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë energjetike, zgjerimit të shkëmbimit ndërkufitar dhe forcimit të integrimit rajonal.

Latifi tha se trafostacioni i Ohrit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa ndërtimi i linjës së transmetimit po ecën me një dinamikë të mirë dhe me përparim të dukshëm në terren ndërkohë që falënderoi Ambasadën e SHBA-së për partneritetin dhe mbështetjen në ndërtimin e një rajoni më të fortë

“Me kënaqësi të veçantë prita sot, në trafostacionin e Ohrit, të ngarkuarën me detyrën e ambasadores së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Nicole Warns. Me këtë rast, Shkëlqesisë së Saj i prezantova progresin e projektit për ndërlidhjen energjetike të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, një projekt që e kemi pritur për dekada.

Ndërlidhja me Shqipërinë përmes linjës së transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan nuk është vetëm një projekt infrastrukturor. Është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë energjetike, zgjerimit të shkëmbimit ndërkufitar dhe forcimit të integrimit rajonal.

Trafostacioni i Ohrit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa ndërtimi i linjës së transmetimit po ecën me një dinamikë të mirë dhe me përparim të dukshëm në terren.

Angazhimi ynë vazhdon edhe më tej, me planet për një ndërlidhje edhe më të fuqishme me Kosovën dhe Bullgarinë, si dhe për përmirësimin e ndërlidhjes me Greqinë.

Sa më shumë të jemi të ndërlidhur, aq më të sigurt jemi. Sa më shumë të jemi të integruar në nivel rajonal, aq më të qëndrueshëm dhe më rezistentë jemi.

Falënderojmë Ambasadën e SHBA-së për partneritetin dhe mbështetjen në ndërtimin e një rajoni më të fortë, më të sigurt dhe të ndërlidhur energjetikisht”, tha Burim Latifi.