Rafael Leao mund të përfundojë te Bayern. Ylli i Milanit është një nga lojtarët më të admiruar në Serie A, por duket se aventura e tij në Milano po merr fund.

Igli Tare nuk pritet të refuzojë shitjen e portugezit, edhe pse në listën e largimeve të mundshme ai nuk është i vetmi. Theo Hernandez dhe Maignan janë gjithashtu në rrezik largimi.

Pas refuzimit pikëllues nga Florian Wirtz, Bayern është në hall të madh. I duhet një blerje e madhe në ofensivë dhe Leao mund të konsiderohet një emër bindës. 1,88 metra i gjatë, jashtëzakonisht i shpejtë dhe driblues, 25-vjecari është thuajse në kulmin e karrierës. Më saktë, ende nuk ka treguar potencialin e tij të plotë, gjë që e bën edhe më tërheqës.

Portugezi këtë sezon nuk la gjurmë te Milani. Ai ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 13 asiste në 50 ndeshje. Nuk janë shifra tepër entuziaste, por klasi i tij nuk diskutohet.

Kontrata e tij me Milanin skadon në vitin 2028. Milani që tani ka nisur të mendojë për pasuesin e tij. Duke qenë se kuqezinjtë nuk do të luajnë në Europë në sezonin e ardhshë, Leao po tundohet për të luajtur te Bayern.

Vlera e tij në treg është 75 mln euro. Problemi i kahershëm që ka dihet: ai heq dorë shpejt kur gjërat nuk shkojnë mirë. Duket se ka probleme psikologjike. Vetëbesimi i tij nuk është në nivelet e duhura.

Bayern ka treguar se mund t’i “ringjallë” yjet. Arjen Robben thuajse nuk shihte asnjë dritë në fund të tunelit kur luante te Real Madrid, por në Mynih tregoi se është gjeni. Ndoshta Leao do të jetë një histori e ngjashme.

The post Leao-Robben, a do të ndodhë një histori e ngjashme? Igli Tare nuk e shmang dot… appeared first on Telesport.