Siç u përmend edhe në prag të këtij sezoni në Formula 1, ky vit do të jetë vendimtar për të ardhmen e shumë figurave kyçe në botën e Ferrari. Duke filluar me drejtorin e ekipit Frederic Vasseur, duke vazhduar më pas te pilotët, Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc, me këtë të fundit që ende pret shansin e tij për kampionatin.
Në këto gara të para, Ferrari është dukur qartë si forca e dytë në pistë, pas një super Mercedes. Madje ka një ndjenjë të moderuar optimizmi në Maranello, me shpresën se përditësimet do t’i japin SF-26, duke nisur nga gara e ardhshme në Majemi, një shans për të sfiduar “shigjetat e argjendta”.
Vitin e kaluar u fol disa herë se Charles Leclerc ishte në shënjestrën e Aston Martin, por gjërat duket se kanë ndryshuar. Gjatë një interviste, Leclerc u pyet se sa i rëndësishëm e konsideron këtë kampionat për të ardhmen e tij te Ferrari: “Është e rëndësishme. Të ngasësh për Ferrarin ka qenë gjithmonë një ëndërr e bërë realitet”.
“Jam shumë i përqendruar te ky vit dhe shpresoj që më në fund të kthehem në shkallën më të lartë të podiumit sa më shpejt të jetë e mundur. Është herët për të thënë diçka konkrete. Duke parë inovacionet dhe atë që kam parë në makinë, ndihem më afër se kurrë krahasuar me të kaluarën time me Ferrarin, arritjes së këtij qëllimi“, tha Leclerc.
The post Leclerc: Ky sezon do të jetë vendimtar për të ardhmen time te Ferrari appeared first on Telesport.
