Përfaqësuesi i Lëvizjes së Studentëve Shqiptarë, Mevlan Ademi, ka bërë të ditur se, pas më shumë se dy vitesh, është ridorëzuar zyrtarisht kërkesa për mundësimin e zhvillimit të provimeve shtetërore edhe në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Ademit, kërkesa është dorëzuar së bashku me kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Besjan Rexhepi, dhe kësaj radhe përfshin jo vetëm Provimin e Jurisprudencës, por edhe provimet për noter, përmbarues dhe të gjitha provimet shtetërore që, siç theksohet, vazhdojnë të organizohen vetëm në gjuhën maqedonase, në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Ademi vlerëson se studentët shqiptarë nuk duhet të përballen me diskriminim dhe se duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për t’u certifikuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre në vendin e tyre. Ai u bën thirrje institucioneve kompetente që të zbatojnë ligjin, të respektojnë të drejtat gjuhësore dhe të veprojnë në shërbim të qytetarëve, duke theksuar se gjuha shqipe është një e drejtë e garantuar me ligj dhe jo privilegj.
Lëvizja e Studentëve Shqiptarë prej më shumë se dy vitesh kërkon që të gjitha provimet shtetërore të jenë të qasshme edhe në gjuhën shqipe, duke e konsideruar këtë një çështje të barazisë, mosdiskriminimit dhe respektimit të rendit juridik në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)
