Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit në ”Click” të RTV21 ka folur për përdorimin e emrit të familjes Jashari në proceset politike. Ai ka kritikuar mënyrën se si disa liderë po përpiqen të përfitojnë politikisht nga figura e tyre, duke e konsideruar të papranueshme për qëllime individuale.
“Deri tash nuk iu desh familja Jashari, tash po sepse nuk mund ta kaloj propozuimin e presidentit dhe as nuk do të jetë Vjosa Osmani. Sipas informatave të mia, VV ka kërkuar vota për mikun tim Glaukun dhe nuk ka arritur të gjejë vota te opozita. Kur nuk i kalon Glauku, rikthehet te familja Jashari. Jasharajt nuk janë për karrierë të individëve,” tha Lladrovci.
Ai shtoi se respekti ndaj familjes Jashari duhet të mbetet mbi çdo interes politik dhe nuk duhet të instrumentalizohet për kalkulime partiake. Lladrovci shtoi se për kryeministrin Albin Kurtin kujdesi ndaj familjes Jashari nuk mund të përdoret si mjet politik dhe se veprimet e liderëve duhet të jenë të sinqerta dhe të qëndrueshme.
“Po të ishte i sinqertë, që nga viti 2004 kur hyri në politikë, do të ishte kujdesur për Jasharët. Uroj të jem gabim, por nuk besoj që është ofertë e sinqertë. Pyes sikur të kishte 80 vota Kurti, a do të kishte propozuar? Por pse tash?”, tha Lladrovci.
I pari i Drenasit tha se emri i familjes Jashari nuk duhet të përdoret për interesa politike dhe se respekti ndaj tyre duhet të mbetet mbi çdo kalkulim partiak.
“Kur përmendet familja Jashari, duhet të kemi kujdes shumë që mos të hyjmë në hak për më keq nëse flasim për përfshirjen e tyre në spekulime politike. Familja Jashari nuk mund të jetë në tavolinën e tregtisë për imazhe politike, e as për rregullime të kredibilitetit të asnjë partie politike,” tha Lladrovci.
