Gazetar: Zekirija Haxhiu

Katër ditë pas kthimit të Artan Grubit nga arratia dhe zëvendësimit të masës së paraburgimit me arrest shtëpiak, kryeministri u prononcua edhe atë pasi në Kuvend pyetje i parashtroi deputeti i partisë së tij Lupço Prenxhov.

Mickoski tha se ai nuk mund të veprojë si pushteti i kaluar të cilin e akuzoi se ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me gjyqësorin duke vendosur se kush do të përndiqet e kush do të arrestohet, sidomos siç tha në kohën e Prokurorisë Speciale.

“A ka pasur marrëveshje që të lëshohet Artan Grubi. Si reagoni ndaj akuzave të LSDM-së se jeni dakorduar që të kthehet. Pra fillimisht ta lëshoni të ikë e pastaj të kthehet?”, tha Lupço Prenxhov – VMRO-DPMNE.

“Unë si person isha politikani më i sulmuar nga ky person, nga Artan Grubi. Ju kujtohet ajo replikë e famshme dhe ajo histeri e shkaktuar e njohur si “Papa Micko”. A ju kujtohet kur në ditën e faljes fluturonin dronë mbi shtëpinë e motrës sime dhe ajo shtëpi paraqitej si pronë e fshehur e imja. Është logjikë e çuditshme që unë të dal si kryeministër dhe të dakordohem me ata që e duan fundin tim politik por edhe njerëzor”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Kreu i Kuvendit Afrim Gashi bëri thirrje deri te të gjithë aktorët politik që të mbajnë duart larg këtij procesi gjyqësor dhe ta lënë atë të kryejë punën në mënyrë profesionale.

“Nuk është mirë të përzihemi në procese gjyqësore. Është koha e fundit që secili institucion ta bëjë punën e vet në mënyrë profesionale dhe të ndërgjegjshme dhe në fund të fundit, në çdo proces përfshirë dhe këtë të fundit me rëndësi është drejtësia, qytetarët duan drejtësi!”, u shpreh Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.

Grubi ishte në arrati për 14 muaj, ndërsa në vend u kthye të hënën në orët e hershme të mëngjesit. Fillimisht u dërgua në paraburgim në Shutkë por me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak./ Alsat.mk

The post Mickoski më në fund deklarohet për Grubin: Logjikë e çuditshme mendimi për marrëveshje politike appeared first on Alsat.