Banorët e Llojanit çdo ditë rrezikojnë jetën duke kaluar hekurudhën pa sinjalistikë adekuate e pa tra.
Ky tren që kalon i bie sirenës për të evituar më të keqen.
Dy sinjalet që janë anësh binarëve janë aq të vjetruar sa që vështirë të shihen nga vozitësit e automjeteve që kalojnë çdo ditë.
-Ndërmjet fshatit Llojan dhe Tabanocë, hekurudha ku pret rrugën regjionale nuk ka rampa dhe banorët ankohen se ekspozohen në rrezik të përditshëm gjatë kalimit, pasi që sinjalistika është e vjetruar dhe nuk dëgjohet sa duhet, por edhe kthesa e madhe e bën të padukshëm trenin, i cili lëvizë disa herë në ditë, raporton Adnan Qaili, gazetar.
Banorët e Llojanit thonë se ndër vite ka pasur shumë aksidente në atë pikë kritike të trafikut. Për të mos ndodh tragjedia, ata në vazhdimësi kërkojnë në autoritet të vendoset sinjalistikë moderne me tra përkatës, e cila është pak metra nga Stacioni hekurudhorë i Tabanocit.
-Neve na pengon si fshatarë dhe të tjerëve, jo vetëm neve por Llojanit më tepër ku kalojnë gjithë banorët aty. Rampa nuk ka! Shenjat hem zor duket nganjëherë!
-A ka rrezik për banorët?
-Ka rrezik si jo, shkojnë edhe andej te udha ‘frëngut’ por shenjat po i humbin ato që vendosen nuk zgjasin as një javë e zhduken.
Ka prej tyre që thonë se vetë kujdesen për rrugën dhe shenjat e komunikacionit në distancë.
-Nuk ka pasur shenja, edhe shumë gropa poshtë na vet fshatarët i kemi mbushur. E kanë gërryer asfaltin për kabllon aty te hekurudha dhe nuk e kanë rregulluar, ne vetë i kemi hedh çimento. Nuk kanë bë gjë ata, por ne fshatarët me vetiniciativë dhe shumë gjëra tjera siç e pastrojmë vetë ne rrugën.”
Mërgimtarët e Llojanit shprehin habi se si autoritet kanë lënë pas dore këtë fshat me 2,000 banorë.
-Te hekurudha aty, Ministria përkatëse që e ka për detyrë ose në bashkëpunim me komunën, për sidoqoftë për mendimin tim nuk kryen punë askush nuk interesohen. Rruga është bërë një herë me asfalt dhe ka qenë shumë e ngushtë
Nga Nëdrmarrja Publike “Hekurudhat-Infrastruktura” në Shkup thonë se deri në projektimin e rikonstruimit të plotë të atij aksi hekurudhorë nuk është paraparë vendosja e trave në atë pikëkalim. Sipas tyre, inxhinierët hekurudhorë nuk e kanë piketuar atë si infrastrukturë kritike, duke pasur parasysh që nuk ka frekuentim të lartë të kalimtarëve rrugorë me automjete. Por, ata bëjnë thirrje që të respektohet sinjalistika aktuale meqë vlerësojnë se është e mjaftueshme dhe se në një të ardhme afatgjatë, aty mund të bëhet një ndërhyrje për vendosje të rampave.
