Partia opozitare LSDM kërkon që Qeveria menjëherë t’i dëmshpërblejë fermerët për dëmet e pësuara nga stuhia. Nga partia thonë se mijëra hektarë sera, kultura bujqësore dhe makineri janë shkatërruar jo vetëm në Strumicë, por edhe në qytete të tjera. Njëkohësisht kërkojnë përgatitjen e një strategjie afatgjatë për përshtatjen e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike.

“Fermerët sërish janë lënë vetëm. Si zakonisht, pushteti lokal dhe ministri përgjegjës për bujqësi nga VMRO-ja vonohen me reagimet. Vetëm tani do të bëjnë vlerësime. Sot e dëgjojmë ministrin e Bujqësisë duke thënë se do ta ndjekë situatën, por fermerët kanë vështirësi dhe nuk ka kohë për pritje, u nevojitet ndihmë urgjente. Kërkojmë që Qeveria të mbajë seancë të jashtëzakonshme dhe të marrë vendim urgjent për dëmshpërblim dhe ndihmë financiare për fermerët”, tha Tanja Ilijoska.

Kryeministri Hristijan Mickoski premtoi se Qeveria do të paguajë kompensim për të gjithë qytetarët dhe u bëri thirrje që dëmet e shkaktuara t’i paraqesin në komisionet komunale.

“Komunat dhe institucionet në kuadër të komunave do të formojnë komisione. Qytetarët që kanë pësuar dëme duhet t’i paraqesin ato pranë komisioneve. Ato do të bëjnë vlerësimin dhe menjëherë do t’ia dorëzojnë Komitetit për Vlerësimin e Dëmeve pranë Qeverisë. Ne, në përputhje me ligjin dhe praktikën, do të ndërhyjmë dhe do t’i dëmshpërblejmë ata që do t’i paraqesin dëmet. Prandaj u bëj thirrje qytetarëve që kanë pësuar dëme t’i raportojnë ato”, tha Hristijan Mickoski.

Komisione do të formohen edhe në komunat e Shkupit, ku qytetarët do të mund t’i paraqesin dëmet e shkaktuara nga stuhia. Në koordinim me Qytetin e Shkupit do të bëhet vlerësim profesional i dëmeve të raportuara, pas së cilit do të nisë procedura për mbështetjen e qytetarëve në sanimin e dëmtimeve të objekteve.