Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë alarmon se Qeveria e ka rritur borxhin publik me 700 milionë euro në tre muajt e parë të vitit, duke e cilësuar këtë si barrë mbi qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme. Sipas LSDM-së, këto huamarrje po përdoren për tenderë kriminalë dhe pasurim partiak, ndërsa vendi po shtyhet drejt një krize financiare.

“Për dy vjet që kur Mickoski është në pushtet, borxhi publik është rritur për 2.3 miliardë euro dhe tani arrin në 10 miliardë e 774 milionë euro, më i larti historikisht. Të jetë e qartë: ky është borxh i pastër, i ri. Gjithçka që është kthyer tashmë është zbritur nga përllogaritjet – bëhet fjalë për huamarrje neto, e krijuar drejtpërdrejt nga kjo qeveri e paaftë dhe shpërdoruese”, tha Bogdanka Kuzeska.

Sipas LSDM-së, deficiti buxhetor për vetëm tre muaj arrin në 408 milionë euro, ndërsa realizimi i të ardhurave me vetëm 20%, gjë që sipas tyre, tregojnë shpërbërje të financave publike.

Po nga partia në pushtet VMRO-DPMNE u kundërpërgjigjën duke thënë se LSDM nuk ka kredibilitet të flasë për ekonomi, pasi pikërisht ata e sollën shtetin në prag të falimentimit pas krimit me përmasa epike dhe asnjë investimi, ndërsa qytetarët i la me xhepa bosh.

“LSDM vazhdimisht ndjek politikë dhe strategji PR me të cilën përhap gënjeshtra dhe manipulon. LSDM gënjeu se shteti do të falimentojë, por jo vetëm që shteti nuk falimentoi, por u rritën edhe pagat; se do të vijnë migrantë; se fondet IPARD për bujqit janë të bllokuara, por Brukseli konfirmoi se nuk ka asnjë parregullsi me fondet dhe i demantoi”, tha VMRO-DPMNE

Socialdemokratët paralajmërojnë se politikat ekonomike të qeverisë po çojnë drejt një humnerë financiare dhe pasigurie, por partia në pushtet qetësojnë duke thënë se Qeveria ndërmerr masa konkrete për përmirësimin e pagave, gjendjes dhe kushteve.