Reperi amerikan Macklemore, emri i vërtetë i të cilit është Benjamin Haggerty, ka njoftuar se do të dhurojë 1 milion dollarë për organizatat që mbështesin popullin palestinez dhe ofrojnë ndihmë humanitare në Gaza. Shuma është pagesa që ai kishte marrë si artist hapës në turneun e Ed Sheeran. Vendimi vjen pas reagimeve të forta që shkaktuan deklaratat e tij në mbështetje të Palestinës gjatë dy koncerteve në New Jersey, ku shfaqi edhe pamje nga shkatërrimet në Gaza.

Pas deklaratave të Macklemore, grupe hebraike kërkuan që ai të hiqej nga lista e artistëve që do të performonin në turneun e Sheeran, kërkesë që u realizua. Më pas, edhe artistë të tjerë të parashikuar si pjesë e performancave hapëse u tërhoqën nga turneu. Mes tyre ishte edhe Finneas, vëllai i këngëtares Billie Eilish, i cili deklaroi se artistët nuk duhet të heshtin kur mbrojnë njerëzit e shtypur. Macklemore gjithashtu i bëri thirrje Robert Kraft, pronarit miliarder të New England Patriots dhe mbështetës i njohur i Izraelit, të dhurojë një shumë të ngjashme.

Ndërkohë, Ed Sheeran është shprehur se nuk ishte përgjegjës për largimin e Macklemore dhe se nuk dëshironte të përfshihej në një debat publik rreth Gazës. Ai e cilësoi konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës si të frikshëm dhe tha se dhimbja dhe vuajtja e shkaktuar në të dyja anët përbëjnë një tragjedi njerëzore. Sheeran sqaroi se zgjedhja për të mos folur publikisht nuk do të thotë se nuk ka një opinion personal apo se nuk i intereson çështja, duke shtuar se në koncertet e tij marrin pjesë edhe shumë të rinj e fëmijë dhe se ai nuk dëshiron ta përdorë platformën e tij profesionale për çështje politike.

Megjithatë, deklaratat e Sheeran kanë shkaktuar reagime nga aktivistë, të cilët kanë vënë në pikëpyetje qëndrimin e tij. Në rrjetet sociale është rikthyer një foto e këngëtarit duke takuar një ish-peng izraelit në shtator të vitit 2024, ndërsa është kujtuar edhe mbështetja e tij publike për Ukrainën në vitin 2022. Sheeran ka humbur gjithashtu më shumë se 200 mijë ndjekës në Instagram brenda pak ditësh, ndërsa në Los Angeles u shfaq një video satirike e projektuar në murin e një ndërtese, ku këngëtari paraqitet duke i bërë masazh Robert Kraft. Në të kundërt, artistët që u tërhoqën nga performancat hapëse të turneut raportohet se kanë fituar së bashku rreth 1.6 milionë ndjekës.