Komisioni i pavarur i Premier League e ka shpallur Manchester City fajtor për të 115 akuzat për shkelje të rregullave financiare, të lidhura me 9 sezone, nga 2009/10 deri më 2017/18. Klubi u dënua gjithashtu për mosbashkëpunim me ligën gjatë hetimit 4-vjeçar.

Sipas vendimit, një pjesë e kontratave të sponsorizimit të City ishin pjesërisht ose tërësisht “fiktive”. Sponsorët paguanin vetëm një pjesë të shumës së parashikuar, ndërsa pjesa tjetër financohej drejtpërdrejt nga “Abu Dhabi United Group” (ADUG), kompania pronare e drejtuar nga sheiku Mansour bin Zayed Al-Nahyan.

Përmes kontratave fiktive dhe transferimit artificial të të drejtave të imazhit të lojtarëve te kompani të treta, përfshirë “Fordham”, City dyshohet se rriti artificialisht të ardhurat dhe uli kostot operative me mbi 900 milionë paund, duke anashkaluar kufizimet e “Fair Play Financial” dhe rregullat e Premier League.

Komisioni theksoi gjithashtu se klubi bëri “përpjekje të bashkërenduara për të ndaluar dhe penguar hetimin e Premier League”.

City ka kohë deri më 2 tetor për të apeluar dhe ka konfirmuar se synon ta bëjë këtë. Nëse fajësia mbetet në fuqi, dënimi do të përcaktohet në një seancë të veçantë. Sanksionet mund të variojnë nga zbritje rekord pikësh dhe heqje titujsh, deri te përjashtimi nga Premier League.

The post Manchester City, 9 vite bilance të manipuluara. Kostot e rregulluara për mbi 900 milionë, çfarë rrezikon tani appeared first on Telesport.