Në bazë dypalëshe do të gjenden zgjidhje për çështjen që transportuesit të mund ta kryejnë papenguar veprimtarinë e tyre në vendet e zonës Shengen. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, thotë se duhet të bëhen marrëveshje me sa më shumë shtete, edhe pse në zonën Shengen nuk ka kufizim se nga cili shtet anëtar do të merret viza, pasi ajo është e vlefshme edhe në shtetet e tjera.

“Duke pasur parasysh se tani u njohën si profesionistë, mund të marrin viza afatgjata dhe për këtë arsye ne duhet të punojmë me sa më shumë shtete për të arritur një marrëveshje të tillë. Kjo është zgjidhja e vetme, ka disa shtete anëtare të zonës Shengen që nuk duan të ketë një zgjidhje të përbashkët për të gjitha shtetet anëtare. Fatkeqësisht, edhe rregullat e vizave janë rregulla që miratohen me konsensus në nivel të Bashkimit Evropian, përkatësisht në këtë rast të zonës Shengen, dhe për këtë arsye zgjidhja është dypalëshe dhe ne po punojmë në mënyrë dypalëshe”, tha Nikolloski.

Megjithatë, një pjesë e shteteve të zonës Shengen nuk kanë qëndrim të përbashkët se si të zgjidhet kjo çështje. Gjermania kërkon që zgjidhja të jetë e përbashkët, ndërsa Çekia, Greqia, Rumania dhe Kroacia konsiderojnë se nevojitet marrëveshje në bazë dypalëshe. Për mundësinë e tejkalimit të problemeve të transportuesve të shkaktuara nga sistemi i paralajmëruar EES i Bashkimit Evropian, kërkuam qëndrim edhe nga Biljana Muratovska nga MAKAM TRANS.

“Tashmë janë gati, thanë se do të shikojnë që sa më shpejt t’i lëshojnë vizat. Rumania tha se ajo do të llogarisë sipas orëve dhe jo sipas ditëve, Greqia dhe Çekia po bëjnë ndryshime në ligj, kështu që jemi në proces të zgjidhjes së problemit”, tha Bilijana Muratovska, MAKAM TRANS.

Muratovska thotë se, krahas marrëveshjeve dypalëshe, Bashkimi Evropian planifikon që gjatë vitit të ardhshëm të njohë qëndrimin profesional në vendet e BE-së, ku përfshihen edhe transportuesit.

“Bashkimi Evropian tha se, sipas planit të tyre, ashtu siç po shkon, në gjysmën e dytë të vitit 2027 do të miratohet strategjia e re e vizave, përkatësisht me të cilën do të njihen shoferët, artistët dhe shkencëtarët se mund të kenë qëndrim më të gjatë në zonën Shengen. Ndërsa tani, jozyrtarisht lexova, nuk e di në cilën faqe ishte, se 9 shtete në mënyrë aktive kërkojnë që përkohësisht të pezullohet sistemi i ri, sepse shkakton kolona të mëdha në aeroporte dhe në kufij”, deklaroi ajo.

Problemi me transportuesit lindi pas paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për vendosjen e sistemit EES, me të cilin transportuesit kanë të drejtë qëndrimi prej 90 ditësh brenda një periudhe prej 180 ditësh. Pas presionit të madh nga transportuesit, ku pati edhe bllokime të kufijve, Bashkimi Evropian vendosi t’i njohë ata si profesionistë dhe me këtë të kenë të drejtë të kërkojnë viza afatgjata.