Ministria e Arsimit paralajmëron një qasje afatgjate dhe sistematike për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Janevska njoftoi masa konkrete, ndryshime ligjore dhe përgjegjësi edhe për prindërit e fëmijëve që përsërisin dhunën në shkolla. Në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit synohet krijimi i një sistemi të qëndrueshëm që do të parandalojë dhe trajtojë në mënyrë të vazhdueshme këtë dukuri.

 “Ju e dini se ne kemi parashikuar jashtëzakonisht shumë aktivitete për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve, gjë që deri më tani nuk ka qenë kështu. Kjo është Qeveria e parë që i ka kushtuar kaq shumë vëmendje dhunës mes bashkëmoshatarëve. Kemi ndërmarrë projekte dhe ndryshime ligjore. Kemi bërë ndryshime në shkolla sa i përket orarit të mësuesve, kujdesit, madje edhe dënime për ata prindër, fëmijët e të cilëve përsërisin dhunën mes bashkëmoshatarëve. aktualisht bisedimet me Qytetin e Shkupit po zhvillohen në nivel të shërbimeve, ndërsa më tej do të bisedohet edhe me kryetarin e qytetit.Unë thashë se këto do të jenë projekte të vazhdueshme, në mënyrë që të mos jenë vetëm projekte për hir të projektit, por të vendoset një sistem i qëndrueshëm që do të veprojë në mënyrë të vazhdueshme për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve”, tha Janevska.

Nga ana tjetër nga VLEN-i nis iniciativë për zero tolerancë ndaj dhunës në shkolla, duke kërkuar bashkëpunim mes komunave, shkollave, psikologëve, mësimdhënësve dhe prindërve. Ata njoftojnë se në Çair janë ndërmarrë hapat e parë për krijimin e një grupi pune që do të parandalojë dhe trajtojë rastet e dhunës mes nxënësve.

“Komuna e Çairit i ka ndërmarrë hapat e parë për krijimin e një platforme që do t’i bëjë bashkë komunën, shkollat, psikologët, mësimdhënësit dhe prindërit. Ne angazhohemi që kjo qasje të zbatohet edhe në komunat ku udhëheqim, ndërsa ftojmë komunat e tjera t’i bashkohen kësaj nisme”, tha Teuta Idrizi nga VLEN.  

Kujtojmë se vetëm në periudhën nga 22 korriku deri më 20 gusht Policia në Maqedoninë e Veriut ka regjistruar 973 raste dhune brenda një muaji, nga të cilat më të shpeshtat janë dhuna në familje, dhuna mes bashkëmoshatarëve dhe rastet me narkotikë. Shkupi prin me 290 raste, ndërsa në total 342 persona janë lënduar, 14 kanë humbur jetën dhe 497 janë arrestuar.