Kylian Mbappé është shpallur fitues i çmimit “Onze d’Or”, që revista franceze “Onze Mondial” ia jep futbollistit më të mirë të sezonit, bazuar në votat e lexuesve. Sulmuesi i Real Madridit la pas João Neves dhe Kvaratskhelia.

Në intervistë, francezi u shfaq pa komplekse: “Kush mendon se jam perfekt, nuk shikon televisor. E kam treguar herë pas here se mund të bëj gjëra të marra. Dhe e pranoj këtë”.

Për ambicien e tij për të qenë më i miri, shpjegoi: “Për të bërë gjëra të mëdha, nuk mund të dalësh në fushë duke menduar se të tjerët mund të bëjnë më mirë se ti. Do t’i vendosje vetes limite”.

Mbappé e konsideron dyshimin si çelësin e përmirësimit: “Të lejon të tejkalosh veten dhe të mos flesh mbi dafina”.

Për karrierën e tij dha notën 10, duke theksuar se nuk është mërzitur asnjë vit në më shumë se një dekadë si profesionist: “Dua ta kuptoj lojën më thellë, të kontrolloj më mirë atë që bëj, pa humbur krijimtarinë dhe instinktin”.

Ai e mbylli me një mesazh për të rinjtë: “Të ëndërrosh të bëhesh si unë do të thotë t’i vendosësh vetes limite. Nëse mund të ëndërroni të bëheni më të mirë se unë, mos u ndalni”.

Për lumturinë ishte i prerë: “Gjithmonë kam dashur të bëhem futbollist dhe e kam realizuar ëndrrën. Në jetë nuk kërkoj gjithmonë më shumë. Duhet të dish të kënaqesh me atë që ke”.

 

The post Mbappé shpallet “Onze d’Or”: E kam treguar herë pas here se mund të bëj gjëra të marra appeared first on Telesport.