Gazetar: Suad Bajrami

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe prokurori i shtetit Nenad Saveski mbrëmë kanë biseduar nëpërmjet telefonit lidhur me ndërprerjen e hetimit nga e Prokurorisë për çështjen e furnizimit të Mazutit, ku dyshohej për keqpërdorim në vlerë 167 milionë eurosh. Kryeministri sot tha se informatën për këtë rast ku të dyshuar janë disa biznesmenë, e ka marrë me mosbesim dhe i tronditur, ndërsa kërkon që vendimi për ndërprerjen e hetimit të rishqyrtohet.

Gjatë ditës së djeshme bisedova për këtë temë me prokurorin publik, Nenad Savevski në këtë temë. Ai më informoi se nuk ka qenë i informuar për këtë vendim të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që e udhëheqë Islam Abazi dhe supozoj se pas dorëzimit të ankesës nga ana e Sh,A, EMV rasti do të rishqyrtohet dhe do të kthehet sërish për analizim”, Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Për qasjen e kryeministrit pati reagime në opinion. Thirrja në telefon cilësohet si shkelje e parimit kushtetues të ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve, duke e pasur parasysh se sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, në punën e organit të akuzës nuk ka të drejtë të përzihet qeveria e as ndonjë pushtet tjetër. Për rastin në fjalë sot reaguan nga zyra e prokurorit të shtetit, duke konfirmuar bisedën me kryeministrin, por duke mohuar pretendimet për ndërhyrje. Biseda telefonike e prokurorit me Mickoskin, sipas Prokurorisë është e para që nga zgjedhja.

“Prokurori i RMV-së nuk mund të ndalojë dikë t’i lajmërohet në telefon. Dje, për herë të parë fare e telefonoi kryetari i Qeverisë së RMV-së, por gjatë bisedës në asnjë moment nuk u fol për detaje të ndonjë rasti konkret, përfshirë edhe për lëndën për të cilën tregoni interes. Në pyetje të kryetarit të Qeverisë, në bisedë iu tha e njëjta ajo që dje u publikua nëpër media – se lënda nuk është referuar në Prokurorinë Republikane dhe se prokurori i shtetit për vendimin është njoftuar pas miratimit”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike

.

Ndërkohë shefi i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar Islam Abazi, i cili edhe gjatë ditës së djeshme ishte në shënjestër të kritikave nga VMRO-DPMNE-ja për mbylljen e hetimit, demantoi të ketë ndërhyrë te prokurorja e lëndës, Katerina Kollareviq. Prokuroria i mbylli hetimin nën arsyetimin se nuk ka prova për krimin e pretenduar ku të dyshuar ishin 13 persona, mes tyre pronari i “Pucko Petroll”, Asmir Jahoski, pronarët e kompanisë “RKE” Erxhan Sulkovski dhe Ratko Kapushevski, përfshi edhe ish drejtorin e Elektranave të Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski i cili aktualisht ndodhet në arrati, por edhe ish drejtori Ardian Muça.

The post Mbyllja e hetimit për Mazutin, Mickoski ka biseduar në telefon me kryeprokurorin Saveski appeared first on Alsat.