Me tendë në park te Fakulteti i Mjekësisë në Shkup, Darko Vasilevski po proteston pasi thotë se është refuzuar në tre konkurse për punësim, edhe pse pretendon se i plotëson kushtet si mjek i mjekësisë së përgjithshme.

Vasilevski pretendon se gjatë intervistave i është përmendur edhe mosha dhe kërkon sqarim për kriteret e përzgjedhjes.

“Problemi është se në njoftimin që e morëm nga Fakulteti i Mjekësisë nuk ishin të specifikuara kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur kandidatët e tjerë. Cilat kritere nuk i plotësoj unë dhe pse nuk jam pranuar, pra përveç kërkesave të mia që nga fillimi, përgjigje kam filluar të marr vetëm gjatë ditës së djeshme dhe të sotme. Megjithatë, përgjigjet nuk po i marr nga Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë ose nga ministritë kompetente”, tha Darko Vasilevski.

Shoqata e Specializantëve të Rinj mohon se Darko Vasilevski është diskriminuar në konkursin e fundit për punësim në Fakultetin e Mjekësisë. Nga Shoqata thonë se, sipas sqarimit të marrë nga Dekanati, kandidatët e përzgjedhur kanë nota më të mira. Mesatarja e tyre ka qenë 9,29 dhe 9,21, ndërsa mesatarja e Vasilevskit 8,20. Shoqata sqaron se mosha e tij, 46 vjeç, nuk ka qenë kriter për vlerësim apo renditje.

“Duke pasur parasysh se suksesi në arsim i kandidatëve të përzgjedhur është më i lartë se ai i kolegut Vasilevski, mund të konstatojmë se ky konkurs përfaqëson një shembull të një procedure në të cilën janë përzgjedhur kandidatë të renditur më mirë, bazuar në kritere të përcaktuara paraprakisht, të matshme dhe të verifikueshme. Sipas sqarimit të disponueshëm, përzgjedhja nuk ka qenë rezultat i një vendimi diskrecional, por i zbatimit të kritereve të konkursit dhe rezultateve të arritura nga kandidatët”, thonë nga Shoqata e Specializantëve të rinj.

Shoqata u bëri thirrje të gjitha palëve që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin përmes mekanizmave institucionalë dhe ligjorë, ndërsa Vasilevskin e inkurajoi të aplikojë në konkursin e ardhshëm për rreth 300 punësime të specializantëve. Në fund, duke pasur parasysh grevën e urisë të Vasilevskit, Shoqata apeloi që ai të mos e rrezikojë shëndetin e tij dhe çështja të vazhdojë të zgjidhet përmes dialogut institucional.