Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi sot se ekonomia e vendit po rikthehet në rritje pas tre vitesh recesioni dhe stagnimi, pavarësisht luftërave në Gjirin Persik dhe Ukrainë, si dhe mosmarrëveshjeve tregtare globale. Ai theksoi se treguesit kryesorë ekonomikë e mbështesin këtë optimizëm dhe se recesioni pritet të tejkalohet plotësisht deri në fund të vitit, falë ritmeve të mira të rritjes në tremujorin e tretë.
Duke folur në një konferencë për media pas mbledhjes dyditore të Qeverisë në kështjellën Neuhardenberg në Brandenburg, Merz tha se parashikimet për vitin 2027 janë rishikuar për lart dhe se Gjermania ka mundësi që vitin e ardhshëm të shënojë rritje prej të paktën 1 për qind.
Optimizmin e konfirmoi edhe raporti i fundit i Institutit Ifo, sipas të cilit indeksi i klimës së biznesit në gusht u rrit papritur me 2.1 pikë, në 88.8 pikë, duke arritur nivelin më të lartë në një vit. Ekonomia më e madhe evropiane, pas tkurrjes në vitet 2023 dhe 2024 dhe stagnimit vitin e kaluar, në tremujorin e dytë shënoi rritje prej 0.3 për qind.
Ministri i Financave, Lars Klingbeil, tha se fondi i posaçëm prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën dhe mbrojtjen e klimës ishte vendimtar për parandalimin e një recesioni të mëtejshëm.
Në mbledhjen e Qeverisë u diskutuan edhe çështje të rëndësishme sociale dhe mjedisore. Kancelari Merz konfirmoi angazhimin e koalicionit për heqjen e stimujve për pensionimin e parakohshëm, me fokus të veçantë te mundësia e njohur si “pensionimi në moshën 63-vjeçare”. Ai shprehu habinë për kritikat e kryeministrave të landeve Saksoni, Saksoni-Anhalt dhe Turingi, por theksoi se Qeveria do të tregojë fleksibilitet dhe do të shqyrtojë më tej rrethanat e veçanta, përfshirë rastet e personave me gjendje të rëndë shëndetësore ose fizike.
Përveç reformave pensionale, Qeveria u fokusua edhe në përballimin e pasojave të temperaturave jashtëzakonisht të larta gjatë verës. Autoritetet paralajmëruan koordinim më intensiv dhe rishikim të të gjitha programeve shtetërore për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e popullsisë nga valët e të nxehtit.
