Në universitetin më të madh në vend, “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, ora e parë akademike u mbajt në sheshin pranë monumentit të Qirilit dhe Metodit. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, u tha studentëve se ata janë potenciali më i madh që ka Maqedonia, pasi janë profesionistët, inovatorët dhe liderët e ardhshëm që do ta ndërtojnë të ardhmen e shtetit.

“Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi” është vendi i duhur për të mësuar, për të bërë pyetje dhe për të hulumtuar. Jini studentë kureshtarë dhe të guximshëm në kërkimin e njohurive të reja!, tha Vesna Janevska.

“Të rikujtoj – mos kini ambicie të jeni enciklopedi që memorizojnë. Po e përsëris edhe një herë, ushtrojeni të menduarit kritik. Unë, edhe pse jam presidente, besoj në kufijtë e së drejtës, jo në të drejtën e politizuar”, tha Gordana Siljanovska-Davkova.

Janë rreth 13.800 studentë që sot mbajtën orën e parë akademike, për vitin akademik 2026-2027. Këtë vit, në studimet universitare janë të regjistruar rreth 53.500 studentë, prej të cilëve 46.925 janë studentë të rregullt, ndërsa rreth 6.600 studentë me korrespondencë.

Kryeministri Hristijan Mickoski mori pjesë në orën e parë akademike në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, ku studentëve të rinj u tha se në asnjë vend nuk është më bukur sesa në shtëpi.

“Jeta e vërtetë është lufta që ju pret, lufta për familjen tuaj dhe lufta për vendlindjen tuaj, Maqedoninë. Këtë asnjëherë të mos e harroni. Kudo që të shkoni, kthehuni në shtëpi dhe së bashku të luftojmë për vendin tonë më të bukur në botë, Maqedoninë”, deklaroi Hritijan Mickoski.

Ora e parë akademike u mbajt edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetin “Shën Apostull Pali” në Ohër, si dhe në rreth njëzet universitetet e tjera që funksionojnë në vend.