MPB-ja paralajmëron për sulme të reja phishing përmes mesazheve të rreme SMS dhe postës elektronike, që pretendohet se janë dërguar nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, përcjell TV21. Në mesazhe ka një link të rremë përmes të cilit qytetarët udhëzohen të paguajnë një gjobë të pretenduar për shkelje në trafik. Nga MPB-ja u bëjnë apel qytetarëve të mos hapin lidhje të dyshimta dhe të mos fusin numrat e kartelave, fjalëkalimet dhe të dhëna të tjera personale.

Njoftimet e vërteta SMS për shkelje duhet të dërgohen nga “MVR-SC” dhe të përmbajnë targën e automjetit. MPB-ja rekomandon përdorimin e autentifikimit me dy faktorë dhe raportimin e mesazheve të dyshimta tek institucionet kompetente ose bankat. Sektori për Krim Kompjuterik vazhdon me hetimet për zbulimin dhe sanksionimin e autorëve të këtyre mashtrimeve.