Gazetare: Melihate Rustemi
Aksioni i fundit i Policisë Financiare ka përplasur pushtetin dhe opozitën. Pavarësisht që kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se hetimi është në vijim dhe se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë, ai sërish mori rolin e prokurorit në sqarimin e rastit dhe rolin e të dyshuarve. Mickoski madje paralajmëroi se hetimi pritet të zgjerohet edhe në institucione të tjera, të cilat sipas tij përbëjnë dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kompetencave.
“Bëhet fjalë për një person që është ish kryetar komune dhe ish drejtor i një institucioni publik, në këtë rast i Administratës Doganore. Në procedurë janë përfshirë edhe disa të punësuar të këtij institucioni, si dhe një person që nuk di si ta quaj, por ka qenë shumë i afërt me qeverinë e kaluar dhe shpesh ua ka lehtësuar, thënë kushtimisht, veprimet që kanë qenë të mbushura me shumë parregullsi dhe paligjshmëri, ose thënë në gjuhën popullore, ka vepruar si ndërmjetës. Sipas informacioneve që kam në dispozicion, hetimi do të zgjerohet dhe në periudhën në vijim do të ketë aksione të ngjashme edhe në disa institucione të tjera”, theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, refuzoi të komentojë rastin në detaje, duke thënë se fillimisht duhet të flasin institucionet.
“Nuk dëshiroj të komentoj në këtë fazë. Qëndrimet tona i kemi bërë të qarta. Nuk dua të komentoj gjykatat, prokurorët, prokurorinë, gjyqësorin dhe kështu me radhë, sepse nuk dua t’i kem qasjet dhe qëllimet e Hristijan Mickoskit, mendoj se ato nuk janë qëllime të mira. Do të presim që institucionet të flasin dhe më pas do ta japim komentin tonë.”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Paraprakisht, përmes një kumtese LSDM-ja e cilësoi aksionin kundër ish drejtorit të Doganave, Stefan Bogoev, si një përndjekje politike dhe përpjekje për të larguar vëmendjen nga kritikat e Bashkimit Evropian ndaj qeverisë. Sipas opozitës, koha e nisjes së procedurës ngre dyshime për ndikim politik në drejtësi, duke akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se po sillet si organizator i proceseve hetimore dhe po paralajmëron publikisht arrestime. Nga LSDM-ja kërkojnë gjyqësor dhe prokurori të pavarur, duke theksuar se çdo person që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht përkatësisë politike. /Alsat.mk
The post Mickoski dhe LSDM përplasen për aksionin e Policisë Financiare appeared first on Alsat.
