Kim, mbrojtësi i Bayern Munich dhe ish-lojtari i Napol, është rikthyer në orbitën e Milan. I lidhur edhe më parë me kuqezinjtë, futbollisti koreano-jugor është sërish objektiv i klubit milanez, i cili prej muajsh kërkon një mbrojtës qendre me përvojë.

Lajmin e konfirmoi “Bild”, e cila po përqendrohet te e ardhmja e 29-vjeçarit, kontrata e të cilit me klubin bavarez skadon në vitin 2028. Mbetet e paqartë nëse kampionët e Gjermanisë synojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre rreth tij.

Ajo që dihet me siguri është se lojtari do t’i japë përparësi qëndrimit te Bayern, klubit që pagoi një shumë të konsiderueshme prej 50 milionë eurosh për ta marrë atë nga Napoli në verën e vitit 2023.

Ndërkohë, klube të tjera kanë filluar të shqyrtojnë mundësinë e transferimit të Kim në rast se ai largohet. Megjithatë, nuk ka gjasa që mbrojtësi të largohet nga Bundesliga në janar.

Për pasojë, ky transferim shihet si një mundësi për verën e ardhshme. Për Milan nuk do të jetë e lehtë, pasi edhe Tottenham e Aston Villa janë të interesuara për mbrojtësin, i cili mbush 30 vjeç në nëntor.

Koreano-jugori do ta mirëpriste një rikthim në Serie A, ndonëse një lëvizje e mundshme nga Milan duhet marrë në konsideratë vetëm nëse kuqezinjtë nuk vendosin të bëjnë një investim të madh në mbrojtje gjatë merkatos së dimrit.

The post Milan i rikthehet fiksimit të vjetër, synon të rikthejë në Serie A mbrojtësin e Bayern appeared first on Telesport.