Me 40 vota PËR, 19 KUNDËR dhe 10 TË PËRMBAJTUR, Komiteti për punë të jashtme i Parlamentit Europian miratoi Raportin për Maqedoninë për vitet 2023 dhe 2024, të përgatitur nga eurodeputeti austriak dhe raportuesi për vendin tonë, Tomas Vajc. Ai u shpreh i kënaqur, duke theksuar se raporti u miratua me shumicë të gjerë politike.

“Jam krenar për gjithë punën e palodhur që u bë për të arritur kompromise që të mund të sjellim këtë raport mirë të balancuar, me shumicë të gjerë politike. BE-ja duhet të qëndrojë e bashkuar me fqinjët e saj në këtë peizazh sfidues gjeopolitik me të cilin po përballemi. Maqedonia e Veriut i përket BE-së. Pas 20 vitesh negociata, duhet të ruajmë momentumin pozitiv të tanishëm për të avancuar më tej procesin e zgjerimit”, tha Tomas Vajc, eurodeputet.

Eurodeputetët bullgarë kundërshtuan ashpër tekstin e Raportit, për shkak se në dy vende përmendet identiteti dhe gjuha maqedonase. Ata dorëzuan edhe amendament të propozuar në emër të Partive Popullore Europiane nga eurodeputeti gjerman dhe koordinatori i grupit Mihail Galler nga CDU-ja gjermane. Në atë amendament kërkohej që pas termave “gjuha maqedonase” dhe “identiteti maqedonas” të shtohej fjala “moderne”, por propozimi nuk kaloi, pas çka u paralajmërua se do të propozohet sërish në seancën plenare të Parlamentit Europian.

“Në emër të grupit, do të doja të propozoja amendament që ka të bëjë me kompromisin 1 dhe 10, ku thjesht shtohet fjala ‘modern’ në katër vende, me çka duhet të jetë gjuha maqedonase moderne dhe identiteti maqedonas modern”, pohoi Mihaill Galler, eurodeputet.

Në Raport theksohet mbështetja e plotë për integrimin europian të vendit, por gjithashtu kërkohet edhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Në pjesën që ka të bëjë me funksionimin e institucioneve demokratike, notohet polarizim i thellë politik, nevoja për ndryshime në Kodin Zgjedhor, si dhe përballja me korrupsionin. Pas votimit të sotëm në Komitet, Raporti pritet të votohet edhe në seancën plenare të Parlamentit Europian, që do të mbahet nga 7 deri më 10 korrik në Strasburg.