Ministria e Mjedisit Jetësor dhe ajo e Transportit do të marrin më së shumti para për shpenzime kapitale me ribalancin e buxhetit për këtë vit, zbuloi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke prezantuar projeksionet e rebalancit të buxhetit që u miratua nga Qeveria.

“Ministria e Mjedisit Jetësor do të marrë 2,3 miliardë denarë për shpenzime kapitale, prej të cilave 1 miliard denarë janë para nga llogaria e Ministrisë, nga kreditë dhe nga të ardhura të tjera. Ministria e Transportit, e dini se realizimi në fillim të vitit ishte i madh, ata pothuajse nuk kanë më mjete në zërin për shpenzime kapitale. Ministria e Arsimit në shumën prej 426 milionë. Më pas është Ministria e Shëndetësisë, po ashtu këtu është edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, sepse kanë nevojë për investime të caktuara”, tha ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska – Koçoska.

Ajo sqaroi se, krahasuar me Buxhetin, me ribalancin pjesa e shpenzimeve të buxhetit rritet për rreth 179 milionë euro, prej të cilave për investime kapitale ka shtesë prej 100 milionë eurosh. Dimitrieska-Koçoska tha gjithashtu se nuk do të rritet përqindja e deficitit buxhetor në BPV dhe ai do të mbetet 4,1%.

“Veçanërisht e rëndësishme është që me ribalancin sigurohen mjete shtesë për investime kapitale. Shpenzimet kapitale arrijnë rreth 46 miliardë denarë dhe rriten për rreth 5,8 miliardë denarë ose për 14,5 për qind në raport me Buxhetin fillestar”, tha Gordana Dimitrievska – Koçoska – ministre e Financave.

Ministrja informoi gjithashtu se rritje të shpenzimeve do të ketë edhe për paga, që është rritur për 1,1 miliard denarë.

Me këtë ribalanc, të ardhurat e përgjithshme mbeten në kuadër të të projektuarave, përkatësisht rishikohen nga 374,9 miliardë denarë në 379,2 miliardë denarë. Shpenzimet e përgjithshme rishikohen në 425,2 miliardë denarë. Deficiti rritet nga 39,2 miliardë denarë në 46,1 miliardë denarë.

Deficiti buxhetor dhe detyrimet për shlyerjen e borxhit në shumën e përgjithshme prej 76,4 miliardë denarësh do të financohen përmes kombinimit të huamarrjes së brendshme dhe të jashtme. Me këtë rast, mbi 54 miliardë denarë janë të dedikuara për servisimin e rregullt të detyrimeve ndaj kreditorëve të huaj, ndërsa rreth 20 miliardë denarë për shlyerjen e borxhit të brendshëm.