Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, thekson se kjo parti ka bërë një hap tjetër përpara në përpjekje për tejkalimin e ngërçit në zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, LVV ka hequr dorë nga kjo pozitë dhe u ka bërë thirrje dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, që të propozojnë tre kandidatë unifikues jashtë skenës politike, me integritet dhe kontribut të dëshmuar.
Nagavci theksoi se, përkundër deklaratave publike në media dhe rrjete sociale nga PDK dhe LDK, deri më tani nuk ka pasur asnjë propozim zyrtar konkret në përgjigje të ofertës së LVV-së për një president konsensual.
Ajo shtoi se, duke marrë parasysh rëndësinë e situatës dhe afatet kohore, LVV mbetet në pritje të propozimeve konkrete edhe gjatë mbrëmjes së sotme.
“Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues. Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton”, ka deklaruar Nagavci.
Ndërkohë, dje, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje PDK-së dhe LDK-së që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët – konsensual, për president. Megjithatë, PDK-ja tashmë e ka refuzuar këtë propozim. Ndërsa, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti garanci për sigurimin e 66 votave nga partia e tij në rast se LDK-ja propozon Vjosa Osmanin për presidente.Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill të zgjedh presidentin e ri të vendit. Vjosa Osmani ka përfunduar mandatin pesë-vjeçar më 4 prill.
