Një hap i madh drejt funksionalizimit të çerdhes “Foleja” në fshatin Përshefcë. Pas shumë vitesh pritje, zvarritje dhe premtime të pambajtura, sot kanë filluar të ndahen vendimet për punësimet në çerdhe, duke i hapur rrugë funksionalizimit të saj. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, i cili e ka cilësuar këtë si një ditë historike për Tearcën.

“Pas shumë vitesh pritje, zvarritje dhe premtime të pambajtura, sot po bëjmë realitet një nga premtimet që ua dhamë banorëve të Komunës së Tearcës”, shkroi Memishi. Ai theksoi se ndarja e vendimeve për punësimet është një moment i rëndësishëm për çerdhen “Foleja”, e cila për vite me radhë ishte vetëm një premtim për banorët e Përshefcës.

“Premtuam se do ta hapim dhe ajo po hapet”, deklaroi Memishi. Sipas kryetarit të Tearcës, çerdhja nuk është vetëm një objekt, por paraqet mbështetje konkrete për prindërit dhe një investim në të ardhmen e fëmijëve. Me ndarjen e vendimeve për punësimet, “Foleja” hyn në fazën përfundimtare drejt hapjes dhe fillimit të funksionimit.