Studentët shqiptarë të drejtësisë kanë paralajmëruar sërish protesta, duke treguar vendosmërinë dhe këmbënguljen e tyre për mundësinë që provimin e jurisprudencës të mund ta japin edhe në gjuhën shqipe.

Njëri prej studentëve nismëtarë të kësaj çështjeje, Mevlan Ademi, në profilin e tij në Facebook, ka shpërndarë fotografi ku shihen mbishkrime të vendosura në një urë, e në të cilën shkruhet:

“Nëse menduat se u ndalëm, gabuat. Të parën e shpërfillët, e dyta po vjen”.

Sipas informacioneve të TV21, protesta pritet të mbahet javën e ardhshme, megjithatë ende nuk është caktuar data e saktë.

Kujtojmë se më 6 prill në Shkup, qindra studentë shqiptarë protestuan duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, me thirrjet “Gjuha shqipe nuk negociohet” dhe “Ne flasim shqip”, ndërsa kërkuan edhe zbatim të plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve./TV21