Platforma “Netflix” ka përdorur për herë të parë inteligjencën artificiale gjenerative në një nga serialet e saj, në një përpjekje për të realizuar filma dhe seri televizive më të mira dhe me kosto më të ulët.

Pas publikimit të rezultateve të tremujorit të dytë të kompanisë, të enjten (17 korrik), bashkë-drejtuesi ekzekutiv Ted Sarandos konfirmoi para analistëve se seriali argjentinas i zhanrit sci-fi, “The Eternaut”, është projekti i parë në platformë që ka përdorur AI.

“Ne mbetemi të bindur se inteligjenca artificiale përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për t’i ndihmuar krijuesit të bëjnë filma dhe seri më të mira, jo vetëm më të lira”, deklaroi 60-vjeçari, raporton “Independent”.

Sipas Sarandos, seriali në gjuhën spanjolle – i cili ndjek të mbijetuarit e një reshjeje dëbore vdekjeprurëse që shkatërron popullatën – përdori AI për të rikrijuar pamjet e një ndërtese që shembet në Buenos Aires. Ai shtoi: “Ajo sekuencë është pamja e parë përfundimtare e krijuar nga AI që shfaqet ndonjëherë në një serial ose film origjinal të Netflix-it. Krijuesit ishin jashtëzakonisht të kënaqur me rezultatin”.

Duke lavdëruar punën e ekipit të efekteve vizuale, Sarandos shtoi: “Duke përdorur mjete të fuqizuara nga AI, ata arritën të realizojnë një rezultat mahnitës me shpejtësi të pabesueshme, dhe në fakt, ajo sekuencë e efekteve vizuale u përfundua 10 herë më shpejt sesa do të mund të bëhej me mjetet tradicionale të VFX”.

Ai theksoi gjithashtu se përdorimi i AI i ka dhënë mundësi serialit, i cili ka buxhet të kufizuar, të ketë efekte bindëse që ndryshe “nuk do të ishin të realizueshme” për një projekt të atij dimensioni.

Përdorimi i AI në filma ka qenë temë e debatit kohët e fundit. Ndërsa aktorë si Robert Downey Jr dhe regjisorë si James Gunn janë shprehur kundër teknologjisë, figura të tjera si James Cameron dhe Ben Affleck e kanë përqafuar atë.

AI ishte gjithashtu në qendër të konfliktit të vitit 2023 mes Sag-Aftra, sindikata më e madhe e aktorëve në ShBA, dhe studiot e mëdha të Hollywoodit. Greva, e cila ndaloi prodhimin e disa filmave me buxhet të lartë, përfshirë “Deadpool and Wolverine” dhe “Wicked”, filloi më 19 korrik 2023. Në atë kohë, aktorët grevistë kërkonin garanci për përdorimin e AI, rritje të pagesave nga platformat e transmetimit online dhe kushte më të mira të punës.

Marrëveshja u arrit në nëntor, me sindikatën që deklaroi: “Anëtarët e SAG-Aftra do të përfitojnë rritje historike të pagave, kompensim të përmirësuar nga transmetimet online dhe mbrojtjet e para thelbësore për përdorimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale”.