Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, ka prezantuar modelin e ri qeveritar për rritjen e pagave, të quajtur “Euro Model”, i cili pritet të zbatohet nga janari i vitit 2027.
Sipas modelit të prezantuar nga kryeministri, paga minimale neto do të përcaktohet në varësi të nivelit të arsimit: 1,000 euro për punonjësit me arsim fillor, 1,250 euro për punonjësit me arsim të mesëm, 1,400 euro për punonjësit me arsim të lartë.
Spajic tha se reforma synon të rrisë pagat jo vetëm për punonjësit me paga minimale, por edhe për ata me të ardhura mesatare dhe më të larta, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Sipas përllogaritjeve të qeverisë, më shumë se 250 mijë të punësuar do të përfitojnë nga rritja.
Sipas kryeministrit, krahas rritjes së pagave minimale, qeveria planifikon të ulë më tej barrën tatimore mbi punën.
Si shembull, Spajic përmendi një punonjës që aktualisht merr 1,600 euro neto, ndërsa punëdhënësit i kushton rreth 1,980 euro. Sipas modelit të ri, me të njëjtën kosto për punëdhënësin, punonjësi do të merrte rreth 1,870 euro neto.
Rritje edhe për pensionet
Paketa e paralajmëruar përfshin edhe pensionistët. Sipas Spajic, nga viti 2027 pensionet do të indeksohen katër herë në vit.
Sipas projeksioneve të qeverisë, pensioni mesatar në prill do të kalojë 600 euro, ndërsa pensioni minimal pritet të kalojë 500 euro.
Spajic njoftoi gjithashtu se në dhjetor të këtij viti çdo pensionist do të marrë 100 euro shtesë për dimrin.
Si do të financohet reforma?
Kryeministri tha se reforma është planifikuar të financohet përmes rritjes së konsumit dhe punësimit, luftës kundër ekonomisë informale, kthimit të diasporës, disiplinës në shpenzimet publike dhe masave tatimore.
Ai përmendi gjithashtu forcimin e mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme dhe masa të reja ndaj pronave të paluajtshme të mbajtura bosh.
Sipas projeksioneve të qeverisë, deficiti buxhetor gjatë vitit 2027 pritet të jetë rreth 4–5%, ndërsa në vitin 2028 të ulet në rreth 3%.
Spajic e lidhi reformën edhe me procesin e integrimit evropian, duke argumentuar se Mali i Zi synon të krijojë standarde ekonomike të përafërta me ato të vendeve të Bashkimit Evropian edhe para anëtarësimit formal.
