Në një intervistë të gjatë dhe interesante për “France Football”, Mohamed Salah deklaroi: “E them me siguri se jam një legjendë e Liverpool-it (qesh). Shakaja mënjanë, sot jam në formë, stërvitem, përgatitem dhe luaj. Kur jam në shtëpi, përqendrohem plotësisht te familja ime.

Kështu që nuk kam shumë kohë për ta ndjerë këtë. Por nëse më pyet, po, e di që jam një legjendë. Këtë sezon, pavarësisht gjithë pasigurive për rinovimin tim, tifozët kanë parë që kam dhënë gjithçka, pa mashtrime, pa kalkulime. Dhe këtu, në këtë klub, ndoshta më shumë se kudo tjetër, kjo është ajo që respektojnë më shumë”.

Për pasiguritë rreth rinovimit me “Reds”: “Duket se në fund qëndrimi ishte përparësi e madhe (qesh), sepse kam pasur sezonin më të mirë në aspektin statistikor në jetën time (49 ndeshje, 33 gola dhe 23 asistime në të gjitha kompeticionet me klubin tim).

Mundësia që ky të ishte sezoni im i fundit ndoshta më dha shtysën për ta shfrytëzuar në maksimum dhe dhënë gjithçka për ta fituar këtë titull, që ia kisha premtuar vetes. Me veten mendoja: nëse klubi nuk do të më rinovojë, s’ka problem, ta mbyllim në mënyrën më të mirë, që unë të largohem nga dera kryesore”.

A ka qenë vërtet largimi nga Liverpool-i, një mundësi? Salah tregon: “Po, ka qenë një mundësi. Në fakt, ishte pak e çuditshme. Po bënim një sezon të jashtëzakonshëm dhe ndërkohë ishim në bisedime rinovimi aspak të lehta. Në fund gjithçka funksionoi: jemi kampionë dhe unë do të qëndroj edhe për dy sezone të tjera”.

Sulmuesi i Liverpoolit, në këtë intervistë, ka prekur disa tema, duke nënvizuar dëshirën e madhe për ta fituar Premier League këtë sezon: “Ishte objektivi im kryesor. Për herë të parë në karrierën time, i dhashë përparësi kampionatit para Ligës së Kampionëve.

Ishte kaq tronditëse të mos mundnim të festonim me tifozët tanë në vitin 2020 për shkak të pandemisë, ndaj doja me çdo kusht, bashkë me gjithë skuadrën, t’ua dhuronim këtë titull tifozëve tanë dhe qytetit. 9 muaj më vonë, premtimi u mbajt”.

Gjatë aventurës së tij me “Reds”, egjiptiani ka pasur shumë partnerë sulmi. Një ndër më jetëgjatët ishte padyshim Sadio Mané. Ata kanë luajtur 223 ndeshje së bashku, nga viti 2017 deri më 2022. Megjithatë, marrëdhënia mes tyre nuk ka qenë gjithmonë pa tensione:

“Po, kam pasur tension me Sadio. Kujdes, kemi qenë profesionistë deri në fund, nuk besoj se kjo ndikoi në skuadër. Është njerëzore të duash dikë më shumë, e kuptoj, por Sadio është një konkurrues i fortë. Jashtë fushe nuk ishim shumë të afërt, por gjithmonë jemi respektuar”.

Salah, për shkak të disa episodeve, është cilësuar shpesh si egoist në fushë, sidomos në marrëdhënien me Mané. Sidoqoftë, egjiptiani e kundërshton fort këtë ide: “Njerëzit mund të mendojnë çfarë të duan, është e drejta e tyre. Personalisht i ftoj të gjithë të shohin faktet: ai që i ka dhënë më shumë asistime Mané-s jam unë (18). Mund të shohim faktet, por sigurisht që është më e lehtë të thuash fraza të tilla, bëjnë lajm, e di si funksionon”.

The post Nga pasiguria te lavdia, sezoni më i mirë mes dyshimeve për largim. Salah rrëfehet për gjithçka appeared first on Telesport.