Kampionati i Kategorisë Superiore do ta ulë siparin të hënën në mbrëmje, në “Arena Kombëtare”, ku do të zhvillohet finalja e madhe mes Vllaznisë dhe Egnatias, e cila do të vendosë se kush do të shpallet kampioni i ri i Shqipërisë.
Do të jenë kuqeblutë, ata që do të rikthehen në fronin e futbollit shqiptar, apo Egnatia do ta mbrojë titullin dhe do ta mbajë trofeun në Rrogozhinë? Një pyetje që do të marrë përgjigje mbrëmjen e së hënës në përballjen direkte mes këtyre dy skuadrave.
Ky duel vjen pas një sezoni të mbushur me rivalitet dhe surpriza, ku të dyja skuadrat kanë treguar forcë, qëndrueshmëri dhe ambicie të qarta për titullin. Në historikun e përballjeve direkte, Egnatia ka një bilanc më të mirë.
Në 25 takime, rrogozhinasit kanë fituar 11 herë, Vllaznia 6, ndërsa 8 ndeshje janë mbyllur në barazim. Sidoqoftë, kjo nuk garanton asgjë për këtë finale, sepse gjithçka do të vendoset në fushën e blertë të “Arena Kombëtare”.
Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, me tifozë nga i gjithë vendi që do ta ndjekin këtë sfidë vendimtare për titullin më të rëndësishëm në futbollin shqiptar. Biletat për finalen Vllaznia-Egnatia janë në shitje “online” në “ebileta.al” dhe në pikën fizike pranë stadiumit “Arena Kombëtare”.
The post Vllaznia kërkon fronin, Egnatia mbrojtjen e titullit. Ja çfarë parashikojnë statistikat e përballjeve direkte appeared first on Telesport.