Emisioni i 28-të i “Në Shtëpinë e Futbollit” u transmetua live në FSHF TV, duke sjellë në fokus zhvillimet më të fundit nga kampionati “Abissnet Superiore” dhe aktualitetin e futbollit shqiptar.

Nën moderimin e Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin Drejtori i Skautizmit në FSHF, Tefik Osmani dhe gazetari sportiv Gert Çarçani. Diskutimet u përqendruan te java e 33-të e kampionatit, e cila ka rritur ndjeshëm rivalitetin si në krye ashtu edhe në fundin e renditjes.

AF Elbasani mori një fitore të rëndësishme ndaj Vllaznisë, duke u ngjitur në vendin e parë dhe duke i dhënë një tjetër dimension garës për titull në prag të mbylljes së kampionatit të rregullt dhe fazës “Final Four”. Në studio u analizua edhe kalendari i mbetur i dy skuadrave pretendente, që pritet të jetë vendimtar për renditjen finale.

Vëmendje mori edhe derbi i kryeqytetit, ku Tirana triumfoi ndaj Partizanit, ndërsa u diskutua edhe për problematikat e repartit mbrojtës te skuadra e kuqe. Në takimet e tjera, Flamurtari mbajti gjallë shpresat për mbijetesë pas fitores ndaj Dinamos, ndërsa Bylis mposhti Teutën, duke futur edhe durrsakët në garën e fortë për qëndrimin në elitë.

Vora arriti një fitore të rëndësishme ndaj Egnatias, edhe pse skuadra nga Rrogozhina ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në Final Four. Në total, pesë ekipe mbeten të përfshira në luftën për mbijetesë, duke e bërë fundin e sezonit edhe më të luftuar.

Një tjetër temë e diskutuar ishte gara për golashënuesin më të mirë të kampionatit, ku në krye renditen pesë sulmues shqiptarë, duke konfirmuar rritjen e nivelit të futbollistëve vendas.

Në pjesën ndërkombëtare, u fol për ndeshjen miqësore të Kombëtares në muajin qershor ndaj Luksemburgut, ndërsa u theksuan edhe paraqitjet e futbollistëve shqiptarë në Europë dhe më gjerë. Arbër Hoxha u shpall kampion me Dinamo Zagreb, ndërsa Myrto Uzuni vijon të jetë protagonist në SHBA, duke shënuar gol dhe duke u vlerësuar si lojtari i ndeshjes me Austin.

Emisioni pati edhe një lidhje live nga Skocia me Sabah Kerjotën, sulmuesin shqiptar të Hearts, i cili po lufton për titullin kampion, duke ndarë eksperiencën dhe ambiciet e tij në këtë fazë vendimtare të sezonit.

The post Nga titulli e mbijetesa, një analizë e plotë dhe e detajuar në “Në Shtëpinë e Futbollit” për Abissnet Superiore appeared first on Telesport.