Elon Musk po vazhdon betejën ligjore për blerjen e platformës Twitter, tashmë e njohur si X. Miliarderi amerikan i është drejtuar Gjykatës Federale të Apelit në SHBA, duke kërkuar rrëzimin e vendimit që e shpalli përgjegjës për mashtrimin e aksionerëve të kompanisë në vitin 2022.
Në ankesën e dorëzuar të hënën, Musk kundërshton vendimin e jurisë, e cila vlerësoi se deklaratat e tij publike kishin dëmtuar financiarisht investitorët. Çështja lidhet me një postim të 13 majit 2022, kur ai njoftoi se marrëveshja prej 44 miliardë dollarësh për blerjen e Twitter-it ishte pezulluar përkohësisht, deri në verifikimin e numrit të llogarive të rreme dhe atyre spam në platformë.
Musk pretendon se investitorët nuk kanë dëshmuar se rënia e vlerës së aksioneve ishte pasojë e drejtpërdrejtë e deklaratave të tij. Në ditën e publikimit të postimit, aksionet e Twitter-it ranë për 9.7 për qind, duke arritur në 40.72 dollarë.
Në anën tjetër, aksionerët e akuzuan miliarderin se shqetësimet për llogaritë e rreme i kishte përdorur si pretekst për t’u tërhequr nga marrëveshja ose për të negociuar një çmim më të ulët.
Në tetor të vitit 2022, Musk përfundimisht e realizoi blerjen sipas ofertës fillestare prej 54.20 dollarësh për aksion.
Në korrik, gjykatësi federal në San Francisko la në fuqi vendimin në favor të aksionerëve, duke konstatuar se ekzistonin prova të konsiderueshme se postimi i Musk përmbante deklarata të pavërteta.
Nëse vendimi mbetet në fuqi, Musk mund të detyrohet të paguajë rreth 2.6 miliardë dollarë, plus interesat.
Pas blerjes, Musk e riemërtoi Twitter-in në X, ndërsa më vonë platforma u përfshi në strukturën e kompanisë SpaceX. Apeli i fundit përbën një tjetër përballje ligjore për miliarderin, i cili po përpiqet të shmangë një faturë miliardëshe.
