Komisioni parlamentar për Financa dhe Buxhet e përfundoi debatin e përgjithshëm për rebalancin e buxhetit, ndërsa pasditen e sotme vazhdoi me shqyrtimin e amendamenteve. Për rebalancin janë paraqitur 224 amendamente: 87 nga BDI, 78 nga LSDM, 51 nga Levica dhe 8 nga VLEN. Deputetët e pushtetit dhe opozitës, gjatë debatit të përgjithshëm, shkëmbyen akuza të ndërsjella për rishikimin e arkës shtetërore. Për opozitën, ky rebalanc është vetëm një autopsi financiare e planifikimit të dështuar të Qeverisë. Për pushtetin, ndërkaq, me rebalancin të gjithë do të kenë shumë më tepër. Sipas Rregullores së Kuvendit, debati për amendamentet mund të zgjasë më së shumti dhjetë ditë pune, pas së cilës propozim-rebalanci do të gjendet në seancë plenare. Pritet që rebalanci i buxhetit të miratohet deri në fund të këtij muaji.
“Çfarë kemi ne? Rritje ekonomike të projektuar më të ulët, inflacion më të lartë, deficit primar të përkeqësuar dhe huamarrje që nuk është mjaftueshëm e lidhur me produktivitetin. Kemi një kombinim të rrezikshëm për ekonominë tonë, të krijuar nga kjo Qeveri. Presion shtesë paraqesin detyrimet e arritura për pagesë, por të papaguara. Në mars të vitit 2025 ato arrinin në 40 miliardë e 86 milionë denarë, ndërsa në mars të vitit 2026 në 41 miliardë e 579 milionë denarë. Kjo është një rritje prej 1.5 miliardë denarësh”, tha Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së.
“Për deficitin kemi shpjeguar shumë herë pse zgjerohet. Po, është e vërtetë se do të realizohen më shumë projekte, po, është e vërtetë se do të rriten pagat, po, është e vërtetë se do të rriten transferet sociale. Që ta thjeshtojmë, së pari në këtë shtet do të ndërtohen shumë më tepër projekte, dhe së dyti të gjitha shpenzimet sociale që financohen nga shteti do të vazhdojnë të financohen, prandaj do të kenë më shumë edhe studentët, edhe pensionistët, edhe nxënësit, edhe të gjithë ata që kanë çfarëdo nevoje nga shteti”, pohoi Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
