Kjo zonë, me madhësinë e Belgjikës, ndodhet thellë në brendësi të kontinentit, larg bregdetit dhe shtrihet nën më shumë se 1.5 kilometra akull të trashë.
Një kapsulë kohe
Duke përdorur të dhëna nga satelitët dhe radarët, të cilët depërtojnë nëpër akull, studiuesit kanë arritur në përfundimin se kjo botë e harruar dikur ishte “shumëngjyrëshe” me lumenj, të mbuluar me pyje dhe madje edhe me palma.
Disa prova kanë ekzistuar edhe më parë, siç është poleni i palmës i zbuluar në bregdetin e Antarktidës, që sugjeron një peizazh dikur të harlisur dhe të gjelbër, raporton Daily Mail.
Është vlerësuar se e gjithë zona shtrihet në më shumë se 31,000 kilometra katrorë, pothuajse sa madhësia e shtetit të Merilendit.
“Është si të gjesh një kapsulë kohore”, thotë profesor Stuart Jamieson, autori kryesor i studimit nga Universiteti i Durhamit.
Një enigmë më e madhe se Marsi
Në kohët e lashta, ndërsa kontinentet lëviznin, Antarktida gradualisht lëvizte drejt Polit të Jugut. Ky zhvendosje shkaktoi formimin e rrymave të forta oqeanike rreth kontinentit, duke e izoluar atë nga ujërat më të ngrohta.
Në të njëjtën kohë, përqendrimi i dioksidit të karbonit në atmosferë filloi të ulet, duke çuar në ftohje globale. Kombinimi i këtyre faktorëve shkaktoi formimin e një shtrese masive akulli, duke e shndërruar Antarktidën në “shkretëtirën e ngrirë” që është sot.
“Toka nën shtresën e akullit të Antarktidës në lindje është më pak e njohur sesa sipërfaqja e Marsit”, theksoi Jamieson.
Ai shtoi se ekipi po eksploron një pjesë të vogël të peizazhit të fshehur për të mësuar më shumë rreth evolucionit të tij, si dhe historisë së vetë shtresës së akullit.
Peizazh i mrekullueshëm
Studimi zbuloi një peizazh dramatik nën akull, me kreshta imponuese dhe lugina të thella që kanë mbetur të bllokuara për miliona vjet.
Ata identifikuan tre blloqe toke, me gjatësi midis 120 dhe 170 kilometra dhe gjerësi 85 kilometra. Kjo zonë ndan lugina deri në 40 kilometra të gjera që zbresin në një thellësi prej 1,200 metrash.
“Është e pabesueshme që ky peizazh, i fshehur për shekuj me radhë, mund të na tregojë kaq shumë për historinë e hershme dhe afatgjatë të Shtresës së Akullit të Antarktidës Lindore”, tha profesori Neil Ross, një gjeofizikan në Universitetin e Newcastle dhe bashkautor i studimit.
Ky zbulim gjithashtu ofron një pasqyrë se si mund të sillet shtresa e akullit në të ardhmen, si rezultat i ndryshimeve klimatike.
“Ajo që po shohim është një sipërfaqe e lashtë toke që nuk është gërryer nga akulli, duket sikur është formuar nga lumenjtë para se të arrinte akulli”, shpjegoi profesor Jamieson.
The post Një botë e humbur prej kohësh e zbuluar nën akullin e Antarktidës – ajo që kanë njoftuar shkencëtarët do t’ju lërë pa fjalë appeared first on Alsat.
