Një nga 99 sukseset e kryetarit aktual, z. Ridvan Ibrahimi

Azam Murtezani

(Një kujtesë për të kaluarën dhe një pasqyrë e së tashmes në Komunën e Haraçinës)
Për të bërë një ndryshim të vërtetë nuk mjafton vetëm mençuria dhe përgatitja intelektuale; përpara tyre qëndrojnë guximi, vizioni, ndershmëria dhe këmbëngulja për të arritur qëllimet dhe synimet.
Komuna e Haraçinës, për dekada me radhë, kishte mungesë të theksuar të një udhëheqësi si Ridvan Ibrahimi — siç thuhet, “Zoti e zgjodhi dhe na e solli.” Gjatë viteve, komuna ndërroi shumë kryetarë; secili prej tyre ndoshta u përpoq të kontribuonte në një mënyrë apo tjetër, por jo në nivelin dhe dimensionin që i nevojitej Haraçinës. Mungonin projektet konkrete dhe vizioni afatgjatë.
Në fund të një periudhe të errët, u shfaq drita në fund të tunelit — dhe ajo dritë ishte Ridvan Ibrahimi.
Me përpjekje të mëdha, përballje të shumta dhe sfida të vështira, ai mori guximin që pak vetë do ta kishin pasur në të njëjtat rrethana. Ai vendosi të “thyejë akullin” e një sistemi të bllokuar e të mbushur me borxhe dhe probleme institucionale.
Kur z. Ibrahimi mori drejtimin e komunës, ajo ishte në një gjendje të rënduar: me borxh të thellë, llogari të bllokuara, pa funksion institucional dhe juridik, pa rregull e pa shpresë. Ai ndërmori një reformë të thellë dhe solli një ndryshim të gjithanshëm, të cilin kjo komunë e kishte pritur për vite të tëra.
Sot, Haraçina është një histori suksesi. Përmirësimet janë evidente në çdo fushë: sporti, higjiena, infrastruktura shkollore, rrugët, kanalizimi, ujësjellësi e shumë të tjera.
Puna vazhdon në mënyrë të pandërprerë dhe me përkushtim të lartë. Siç thotë Gëte:
“Ëndërroni ëndrra të mëdha, sepse ëndrrat e vogla nuk mund të lëvizin zemrat e njerëzve.”
Z. Ridvan Ibrahimi jo vetëm që ëndërroi, por i shndërroi këto ëndrra në realitet.
Sallat e reja që sot shihen në Haraçinë nuk janë në Komunën Qendër, Aerodrom apo në komuna të tjera të zhvilluara — ato janë pikërisht këtu, në zemër të një komune që dikur përmendej vetëm për problemet e saj. Sot, projekte të shumta janë në zhvillim e sipër, ndonëse gjithçka nisi nga zero: pa buxhet, pa pagesa tatimore, me higjienë në gjendje të mjerueshme, dhe me ujësjellës totalisht jofunksional. Ajo që dikur dukej e pamundur, sot është realitet.
Për të përshkruar sukseset e z. Ibrahimi nevojitet një varg i gjatë, sepse ai jo vetëm që solli ndryshimin dhe frymën e progresit, por është tashmë një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë. Ai tregoi se si duhet dashur vendi, si duhet mbrojtur dhe si duhet udhëhequr me përgjegjësi, ndershmëri dhe duar të pastra.
Besojmë thellësisht se ndryshimi që ai solli në mënyrë revolucionare do të shërbejë si shembull për të gjithë kryetarët që do të vijnë pas tij. Shumë qytetarë do të dëshironin që ai të kishte edhe një mandat tjetër për të realizuar projekte të tjera jetike dhe të domosdoshme. Por politika shpesh është e padrejtë. Siç shprehet Dritëro Agolli:
“Botë e mallkuar, e mbushur me rezil — i miri shpon duart, i ligu këput drandofil.”
Kompromiset janë shpesh të dhimbshme, sepse në to digjen njerëzit e mirë. Megjithatë, shpresa mbetet që Ridvan Ibrahimi të jetë shembull dhe frymëzim për kandidatët aktualë, të cilët nuk kanë barrën e rëndë që kishte ai. Atyre u mbetet vetëm ta vazhdojnë punën dhe projektet që tashmë janë vënë në binarët e zhvillimit.