Mbi 200 lëkundje pasuese goditën sot veriperëndimin e Turqisë, pas tërmetit të djeshëm me magnitudë 6.1 ballë. Agjencia turke për menaxhimin e katastrofave, AFAD, njoftoi se janë regjistruar 237 lëkundje pasuese, prej të cilave 10 kanë pasur magnitudë të paktën 4.0 ballë.

Shumica e banorëve në rajonin e prekur kaluan natën jashtë ose në automjetet e tyre, nga frika e lëkundjeve të mëtejshme, raporton media turke. Epiqendra e tërmetit ishte në qarkun Sindirgi të provincës Balikesir, ku gjatë tërmetit të djeshëm humbi jetën së paku një person, ndërsa 29 të tjerë u lënduan.

Tërmeti kishte thellësi prej 11 kilometrash dhe u ndje deri në Stamboll dhe Izmir, më shumë se 200 kilometra larg. Ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, bëri me dije se të paktën 16 shtëpi u shkatërruan gjatë tërmetit. Operacionet e shpëtimit kanë përfunduar, ndërsa katër persona mbeten në spital.

Tërmetet janë të shpeshta në Turqi, për shkak të vendndodhjes së saj në kryqëzimin e tri pllakave të mëdha tektonike. Stambolli, i cili u godit nga një tërmet me magnitudë 6.2 në prill, është veçanërisht i rrezikuar. Tërmetet e vitit 2023 shkaktuan mbi 53 mijë viktima në jug të Turqisë dhe disa mijëra në rajonin pranë Sirisë.