Edhe pse u largua nga futbolli europian tri vite më parë, Neymar vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Pas Botërorit 2026 me Brazilin, ku shënoi nga penalltia në humbjen ndaj Norvegjisë në fazën e 1/8-ve, emri i tij është rikthyer sërish në titujt e mediave.

Pas rikthimit te Santos, braziliani u kritikua fillimisht për pjesëmarrjen në një turne pokeri. Së fundmi, edhe pse realizoi dy gola në barazimin 2-2 ndaj Chapecoenses, “Globoesporte raportoi se ai ishte përplasur në pushimin e ndeshjes me dy shokët e skuadrës, Gabriel Bontempo dhe João Ananias. Sipas raportimit, Neymar e kishte quajtur Bontempo “idiot” dhe me ironi i kishte thënë se sezonin e ardhshëm do të përballej sërish me Chapecoense, por në Serie B.

I irrituar nga këto raportime, Neymar reagoi publikisht në Instagram. “Po shoh se qarkullojnë disa versione sikur iu kam tërhequr vëmendjen lojtarëve të rinj në dhomat e zhveshjes. Kjo është plotësisht e pavërtetë. Kushdo që e ka përhapur këtë, ju lutem mos e bëni. Mos e bëni këtë, mos gënjeni”.

Më pas sqaroi: “Ishte një bisedë e skuadrës, ku folëm unë, Lucas, Arão, Gabi…, të gjithë e morëm fjalën. Ne i kërkojmë llogari njëri-tjetrit, sepse jemi konkurrues, duam të fitojmë. Nuk pati as qortime dhe as kritika ndaj lojtarëve të rinj. Nuk do t’i pranoj më këto gënjeshtra që vazhdojnë të përhapen në internet. A është e qartë? Përqafime për të gjithë. Jemi bashkë”.

The post “Nuk iu thashë idiotë, mos gënjeni”; Neymar mohon se ka fyer shokët e skuadrës appeared first on Telesport.