Gjykata Kushtetuese duhet ta mbajë politikën brenda kornizave të së drejtës dhe t’u rezistojë presioneve politike, deklaroi kryetari i saj, Darko Kostadinovski. Në një takim me gazetarët në Ohër, ai vlerësoi se protestat para institucionit dhe iniciativa për interpelancën e tij në Kuvend janë përpjekje për të ndikuar në punën e Gjykatës. Kostadinovski bëri të ditur se lëndët për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe rastet e Hagës do të shqyrtohen pasi Gjykata të plotësojë përbërjen prej nëntë gjyqtarësh. Duke folur për Kodin e ri Penal, ai theksoi se duhet të korrigjohen lëshimet e ndryshimeve të mëparshme, veçanërisht në rastet e keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe prokurimeve publike. “Duhet të ketë përgjegjësi. Nuk guxon të ketë të paprekshëm. Kushtetuta dhe ligjet vlejnë për të gjithë”, theksoi Kostadinovski.
