Kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Masar Omeragiq zhvilloi takim me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, përcjell TV21. Gjatë takimit u diskutua për drejtimet e ardhshme të zhvillimit të futbollit në Maqedoni, për të cilin ekziston mbështetje nga FIFA.
Takimi u realizua në kuadër të Samitit të FIFA-s në Miami, gjatë Kupës së Botës për Klube. Omeragiq theksoi se FFM nuk do të investojë në forma boshe, por në infrastrukturë, konkretisht në fusha, ndriçim dhe kushte për zhvillimin e futbollit.
“Vizioni ynë është stadiume të vogla, por cilësore. Jo tribuna pa spektatorë, por terrene, aty ku nis futbolli”, tha Omeragiq.
