OpenAI dëshiron të provojë se inteligjenca artificiale gjeneruese mund t’i bëjë filmat më të shpejtë dhe më të lirë sesa i bën Hollywood-i sot. Kjo është arsyeja pse kompania po i jep hua mjetet dhe burimet e saj kompjuterike për të realizuar një film të animuar me metrazh të gjatë, i cili është projektuar kryesisht me ndihmën e inteligjencës artificiale. Pritet që filmi të dalë në kinema që në vitin 2026.

“Critterz”, një histori për krijesa të pyllit që nisen për një aventurë pasi fshati i tyre tronditet nga mbërritja e një të huaji, është ide e Chad Nelson, një ekspert krijues në Open AI. Nelson filloi të skiconte personazhet tre vjet më parë, ndërsa përpiqej të bënte një film të shkurtër duke përdorur mjetin e ri të gjenerimit të imazheve të Open AI, DALL·E. Ai tani po punon me kompani prodhimi në Londër dhe Los Angeles, me qëllim që të prezantojë versionin e gjatë të filmit në Festivalin e Filmit në Kanë në maj 2026.

Ekipi po përpiqet ta bëjë filmin brenda rreth nëntë muajsh, në vend të 12 muajve të zakonshëm, tha James Richardson, bashkëthemelues i Vertigo Films me seli në Londër. Vertigo po punon për filmin në bashkëpunim me Native Foreign, një studio e specializuar në përdorimin e inteligjencës artificiale të kombinuar me mjetet tradicionale të prodhimit të videove.

Filmi i shkurtër Critterz ka bërë bujë në festivale në vitin 2023. I drejtuar nga krijuesi i Open AI, Chad Nelson, filmi u zgjodh për festivalet në Annecy, Tribeca dhe Cannes dhe u nominua për një Çmim PGA Innovation. Skenaristët James Lamont dhe Jon Foster, pjesë e ekipit të mirënjohur pas Paddington në Peru, tani do të shkruajnë skenarin për versionin e gjatë, i cili eksploron një botë ku IA dhe njerëzit bashkëjetojnë.

Xhirimi i filmit artistik filloi në prill të vitit 2025, me producentët Alan Nible dhe James Richardson në emër të Vertigo, me Mikhail Kleverov që iu bashkua Nelson në Native Foreign. Producentët kanë thënë se duan të shtyjnë kufijtë e rrëfimit gjenerativ, duke bashkuar animacionin tradicional, artin njerëzor dhe inteligjencën artificiale të përparuar.

Richardson dikur tha:
“‘Critters’ origjinal na tregoi se si mjetet e inteligjencës artificiale mund t’i ndihmojnë regjisorët të tregojnë histori argëtuese dhe jemi të emocionuar që kemi mundësinë të jemi përsëri në ballë të një revolucioni të ri teknologjik.”

Në raportin e saj të fundit financiar, Open AI tha se kostot e saj mund të arrijnë në 115 miliardë dollarë deri në vitin 2029 – rreth 80 miliardë dollarë më shumë se vlerësimet e mëparshme. Kompania është ende duke ndërtuar qendrat e saj të pajisjeve dhe të dhënave për të zvogëluar varësinë e saj nga shërbimet e shtrenjta cloud. Ajo pret të shpenzojë më shumë se 8 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2025 – rreth 1.5 miliardë dollarë më shumë se parashikimi i saj i mëparshëm.

The post Open AI do të marrë pjesë në xhirimet e një filmi të animuar me metrazh të gjatë appeared first on Alsat.