Nga Ivan Zazzaroni*

Ka shumë arsye të mira për të filluar ta duam këtë kombëtare italiane, që ende nuk i ka mbushur 25 vjeç (24.6 vjeç është mosha mesatare e formacionit titullar). Disa prej tyre i pamë në testin ndaj Francës në “Stade de France” (barazimin 1-1).

Në vitet e dëshpërimit, u kërkonim vazhdimisht lojtarëve të luanin me guxim, të jepnin gjithçka deri në fund, të nderonin fanellën dhe, mundësisht, të na argëtonin. Epo, kundër Francës guximi nuk mungoi, sidomos pas golit të Olise. Askush nuk u kursye dhe fanella u nderua nga të gjithë.

Pjesa e parë më mjaftoi për të rigjetur kënaqësinë e një Italie të pastër dhe tradicionale, edhe pse me elementë bashkëkohorë. Mbrojtja e fortë është pjesë e historisë sonë, ndërsa kundërsulmi është përgjigjja dhe reagimi ynë natyral.

Franca është dukshëm superiore për nga vlerat teknike dhe përvoja ndërkombëtare, megjithatë në pjesën e parë arritëm ta kontrollonim pa rrezikuar dhe krijuam të paktën tri raste të pastra shënimi.

Edhe në momentin më të vështirë, pas pushimit, ishim Italia. Donnarumma e mbajti gjallë rezultatin dhe u kujtoi francezëve se është ndër portierët më të fortë në botë. Në fund, barazimi ishte plotësisht i merituar, pasi e mbyllëm ndeshjen në sulm duke kërkuar me ngulm 2-1.

Në përqendrim dhe sakrificë ishim të shkëlqyer. Më pëlqyen veçanërisht Sebastiano Esposito, Fagioli, Frattesi dhe Kayode, por në tërësi të gjithë luajtën me qartësi dhe personalitet. Të spikatur ishin edhe Bastoni, Vergara, menjëherë efikas dhe agresiv, si dhe Pio, që luftoi gjatë, i vënë nën presion nga Jacquet dhe Upamecano.

Mancini, në vetëm pak ditë, ka bërë një mrekulli, me një punë të shkëlqyer në aspektin psikologjik: skuadra ka fituar një siguri vërtet inkurajuese. Vetëbesimi nuk duket më i ndikuar nga e kaluara.

 * Drejtor i “Corriere dello Sport”

The post Opinion / Vetëbesimi nuk duket më i ndikuar nga e kaluara, Italia në pastërtinë e saj appeared first on Telesport.