Largimi i Cristiano Ronaldos nga grumbullimi i kombëtares së Portugalisë nuk është e vetmja polemikë në të cilën është përfshirë gjatë karrierës së tij. Nga Wayne Rooney te Erik ten Hag, duke kaluar përmes José Mourinhos, Fernando Santosit apo Juventusit, sulmuesi ka përjetuar konflikte të natyrave të ndryshme.
Kapitulli i fundit ka në qendër Jorge Jesus. Trajneri e bëri të qartë qëndrimin e tij për mënyrën e trajtimit të yjeve të mëdhenj. “Statusi i një lojtari nuk i jep atij asnjë privilegj të veçantë. Qasja ime është të respektoj karrierat e tyre”, – deklaroi trajneri i Portugalisë.
Futbollisti nga Madeira u largua nga grumbullimi vetëm pak minuta pas përfundimit të konferencës për shtyp të Jorge Jesus dhe publikoi një komunikatë: “Në kohën e duhur do t’u tregoj të gjithë portugezëve të vërtetën për arsyet që më shtynë të largohem nga kombëtarja, së cilës i jam përkushtuar gjithmonë”.

Polemika me Rooney në Botërorin 2006 – Një nga përplasjet e tij më të kujtuara ndodhi gjatë Botërorit të Gjermanisë 2006. Në çerekfinale, Cristiano i kërkoi arbitrit të ndëshkonte me karton të kuq Wayne Rooney, atëherë shokun e tij te Manchester United, pasi anglezi dukej se kishte shkelur Ricardo Carvalhon.
Rooney përfundoi duke marrë kartonin e kuq, ndërsa pamjet e Ronaldos duke festuar vendimin bënë xhiron e botës dhe shkaktuan polemika të mëdha. Episodi dëmtoi për një periudhë marrëdhënien mes tyre dhe ushqeu spekulimet për bashkëjetesën e tyre në dhomat e zhveshjes së Manchester United.

Diferencat me Mourinhon – Dallimet mes Mourinhos dhe Cristiano Ronaldos ishin shfaqur që përpara periudhës së tyre në Madrid. Më 2007, kur portugezi drejtonte Chelsea dhe Ronaldo luante te Manchester United, të dy shkëmbyen deklarata publikisht. Më pas, te Real Madridi, mosmarrëveshjet e tyre lidhen, ndër të tjera, me aspekte taktike dhe detyrat mbrojtëse të sulmuesit.
Luka Modrić tregoi vite më vonë se të dy patën një përplasje të forte, pasi Mourinho e kishte qortuar Cristianon se nuk kishte ndjekur një kundërshtar gjatë një ndeshjeje të Kupës së Mbretit. Biseda vazhdoi në dhomat e zhveshjes dhe disa shokë skuadre u detyruan të ndërhynin për të ulur tensionin. Marrëdhënia u përkeqësua veçanërisht gjatë sezonit 2012-13, i fundit i Mourinhos në stolin e Real Madridit gjatë periudhës së tij të parë.

Rafa Benítez gjatë periudhës te Real Madridi – Një tjetër trajner me të cilin pati diferenca ishte Rafa Benítez. Trajneri drejtoi Real Madridin për vetëm 7 muaj, gjatë sezonit 2015-16, dhe që nga faza përgatitore nisën të shfaqeshin episode tensioni. Në një prej stërvitjeve, Cristiano shprehu kundërshtimin e tij pasi Benítez anuloi një prej golave të tij.
U fol gjithashtu për mosmarrëveshje lidhur me ushtrimet e stërvitjes dhe me teknikën e portugezit në goditjet e dënimit. Benítez e mohoi më vonë se kishte tentuar t’i mësonte Cristianos se si t’i ekzekutonte ato dhe deklaroi publikisht se marrëdhënia e tij me sulmuesin ishte shumë e mirë. Madje, ai e cilësoi Cristianon si “më të mirin në botë”.

Përplasja me Erik ten Hag te Manchester United – Marrëdhënia e tij me trajnerët përjetoi një tjetër moment veçanërisht të tensionuar gjatë periudhës së dytë te Manchester United. Më 2022, Erik ten Hag konfirmoi se sulmuesi kishte refuzuar të futej në fushë në një ndeshje kundër Tottenhamit.
Më pas, Cristiano kritikoi publikisht drejtimin e klubit: “Sipas mendimit tim, Manchester United duhet të rindërtojë gjithçka”. Ai vuri gjithashtu në pikëpyetje deklaratat e trajnerit për mundësitë e ekipit për të fituar Premier League dhe Champions League: “Nëse je trajner i Manchester United, nuk mund ta thuash këtë.”
Dy ndeshje radhazi si zëvendësues në Botërorin e Katarit – Marrëdhënia me Fernando Santosin gjithashtu përfundoi duke u përkeqësuar. Gjatë Botërorit të Katarit 2022, trajneri i Portugalisë vendosi ta linte Cristianon në stol në 1/8-at e finales kundër Zvicrës. Gonçalo Ramos zuri vendin e tij dhe shënoi 3 gola në fitoren 6-1.
Cristiano e nisi sërish nga stoli në çerekfinale kundër Marokut dhe u aktivizua gjatë pjesës së dytë, por Portugalia u eliminua. Santos pranoi më vonë se marrëdhënia mes tyre ishte dëmtuar pas turneut dhe se ata nuk kishin mbajtur më kontakte.

Konflikti financiar me Juventusin – As largimi i tij nga Juventusi nuk ishte pa polemika. Portugezi pati një mosmarrëveshje financiare me klubin italian për pagat e papaguara gjatë pandemisë, pasi një pjesë e pagës së tij ishte shtyrë. Konflikti përfundoi në gjykata dhe klubi italian u detyrua t’i paguante afërsisht gjysmën e 19.5 milionë eurove që kërkoheshin.
Tani, përplasja me Jorge Jesusin i shton një tjetër episod kësaj liste. Cristiano u ndje i zhgënjyer pasi nuk luajti asnjë minutë kundër Norvegjisë, pavarësisht se ishte ngrohur gjatë ndeshjes. Konferenca e mëvonshme për shtyp e trajnerit dhe vendimi i futbollistit për t’u larguar nga grumbullimi i Portugalisë e rritën tensionin. E ardhmja e marrëdhënies së tij me kombëtaren mbetet tashmë në pritje të sqarimeve nga të dyja palët.
The post Rooney, Mourinho, Benítez…; polemikat më të mëdha të Cristiano Ronaldos gjatë karrierës appeared first on Telesport.
