Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, kundërshton ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pasi sipas tij, ky ligj legalizon konceptin jugosllav. Osmani kritikon faktin që ligji vendos meritokracinë mbi përkatësinë etnike, duke argumentuar se kjo qasje historikisht është përdorur për të anashkaluar shqiptarët. Sipas Osmanit, mekanizmi i “balancuesit” ka qenë garancia më e mirë për përfaqësim të drejtë dhe nuk duhet të zëvendësohet.
“Ai ligj nuk guxon të kalojë, ai ligj e legalizon përjashtimin, e legalizon konceptin jugosllav të trajtimit të shqiptarëve, për shkak se ka dy momente aty për të cilat unë po flas, e vendos meritokracinë mbi përkatësinë etnike, kinse fillimisht kandidatët do të vlerësohen kush është më i miri, pastaj si kategori e dytë përkatësia etnike, po ne 50 vite na kanë përjashtuar ashtu duke thënë se ky është më i mirë e më i vlerësuar. Balancuesi ishte garantuesi më i mirë”, tha Bujar Osmani.
Qëndrimeve të Bujar Osmanit, iu kundërpërgjigj zv.kryeministri Bekim Sali, i cili hedh poshtë akuzat për rikthim në modele të vjetra, duke ironizuar me “nostalgjinë jugosllave”. Sipas Salit, ligji i ri nuk është improvizim politik, por produkt i ekspertëve dhe një përpjekje serioze për të garantuar përfaqësim real dhe të drejtë për shqiptarët dhe të gjitha komunitetet.
“Nuk e di çfarë nostalgjie kanë me Jugosllavinë dhe me trashëguesit e Jugosllavisë, me shtetin serb, ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat e kemi punuar me ekspertë të cilët janë të çështjes, ne si politikanë e vlerësojmë një hap drejt plotësimit real të të drejtave të shqiptarëve, por edhe të të gjitha minoriteteve të cilat jetojnë në vendin tonë, për herë të parë kemi ligj, nuk bazohemi në vullnet të deklarimit të kandidatëve, nuk bazohemi në softuer i cili ka mund të manipulohet edhe në të kaluarën”, deklaroi Bekim Sali.
Ndryshe, propozimligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat Qeveria i dha dritë jeshile më 7 prill, megjithatë i njëjti ende nuk është dorëzuar për para deputetëve.
