Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia vazhdon të fshehë vendndodhjen e rreth 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se mijëra familje ende jetojnë me dhimbjen e mosnjohjes së fatit të më të dashurve të tyre.
Ajo iu referua edhe zbulimit të varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se gjenden eshtrat e 23 intelektualëve të rrëmbyer nga forcat serbe në prill të vitit 1999.
Sipas Osmanit, ky zbulim është një lehtësim për familjet, por njëherësh rikujton nevojën për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Ajo bëri thirrje për unitet, duke theksuar se çështja e personave të zhdukur mbetet një plagë e hapur për Kosovën.
“Serbia ende fle mbi varreza masive! Serbia ende përsërit krimet, duke fshehur në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkaq, mijëra familje në Kosovë ende jetojnë me dhimbjen e papërshkrueshme të plagëve që nuk janë mbyllur kurrë. 23 intelektualë nga Mitrovica u rrëmbyen dhunshëm nga forcat serbe në prill të vitit 1999, duke i lënë familjet e tyre, Mitrovicën dhe gjithë Kosovën në ankth të përditshëm për 27 vjet. Kontributi i tyre në arsim, shëndetësi e në veprimtari atdhetare do të mbesë gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Mitrovicës. Zbulimi i varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se gjenden eshtrat e tyre, ndonëse është një lehtësim për familjet, është njëkohësisht një rikujtim i dhimbshëm se ndajmë një kufi prej afro qindra kilometrash me një fqinj që ende nuk ka hequr dorë nga synimet e tij për të na zhdukur. Përballë një rreziku të tillë, përballë dhimbjes së vazhdueshme të familjeve të Kosovës që ende kërkojnë vendndodhjen e më të dashurve të tyre dhe përballë një armiku që ende fle mbi varrezat masive të fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, asnjë dallim mes nesh nuk duhet të ketë rëndësi. Asnjë!”, ka shkruar Osmani.
