Sergio Conceição, trajneri i Milanit, foli në konferencën për shtyp në prag të finales së Kupës së Italisë kundër Bologna.
A e ndjeni peshën e presionit?
Përgjegjësia e madhe dhe presionet janë pjesë e Milanit, i ndjejmë çdo ditë. Në një klub të madh, këto janë gjëra normale, por të mërkurën duhet të fokusohemi te çfarë duhet të bëjmë dhe te kundërshtari.
A ju duket ky, Milani më i mirë që keni pasur?
Për sa iu përket rezultateve, po. Tre muajt e parë ishin shumë të vështirë, por nuk dua të përsëris veten. Ne si trajnerë varemi nga rezultatet.
Çfarë ndjesie ju jep rikthimi në “Olimpico”?
Ky stadium më ka dhënë kënaqësi të bukura, por atëherë isha ende futbollist. Ka kaluar kohë. Të mërkurën duhet të kemi të njëjtin qëndrim dhe të jetojmë çdo duel sikur të ishte i fundit. Duhet të jemi gati për çdo skenar, duke ditur që përballë kemi një skuadër ndryshe nga ajo e disa ditëve më parë. Jemi përgatitur mirë, shpresoj për një përgjigje pozitive të lojtarëve të mi.
Do të luani me Jovic apo Gimenez?
Nuk jua them, nuk e dinë as ata vetë.
A do ta ndryshojë një trofe si ky kuptimin e këtij sezoni?
Sigurisht që një trofe është kënaqësi, do të ishte shpërblim për tifozët brenda një sezoni të vështirë. Mund të dukemi të zemëruar, por brenda kemi dëshirë të madhe për ta luajtur këtë finale kundër Bologna. Ndër ne nuk ka frikë, por dëshirë të madhe për ta ngritur trofeun.
Shprehja “pastaj do të flas unë”, është premtim apo kërcënim?
As njëra, as tjetra.
Si është Leao?
Mirë, është në dispozicion. Edhe ata, sidoqoftë, kanë rikuperuar disa lojtarë: Ndoye, Holm, Odgaard… Mendoj se edhe Ferguson do të luajë. Skuadra është gjithmonë më e rëndësishme se çdo individ.
A e shihni grupin më të fortë?
Djemtë besojnë në atë që po bëjmë dhe kjo është më e rëndësishmja. Natyrisht që rezultatet pozitive ndihmojnë gjithmonë, por kam një grup në dispozicion që e di se nuk mjafton të flasësh, por duhet të veprosh. Nëse kemi përmbysur kaq shumë ndeshje, është edhe falë atyre që hyjnë nga stoli. Kjo është skuadra, ky është bashkimi. Jam i qetë dhe shpresoj ta shoh këtë në fushë që nga minuta e parë në këtë finale.
Sa ju mungon për të qenë në majë?
Nuk dua të përsëris të gjitha ato justifikime që tifozët nuk duan t’i dëgjojnë. Ata duan rezultate. Jemi në një klub historik, nuk duhet të mendojmë për shumë lart, por për të fituar këtë Kupë Italie. Përballë kemi një skuadër që ka bërë kampionat shumë pozitiv dhe një trajner të mësuar me këtë lloj ndeshjeje. Bologna është shumë konkurruese.
Ju jeni i specializuar në kupa, keni fituar disa prej tyre…
Janë kompeticione, janë tituj, janë situata në të cilat duam të japim përgjigje pozitive.
Ju shohim të qetë…
Kam shumë ndeshje si trajner, e bëj këtë punë prej 13 vitesh. I gjithë ambienti ka dëshirë për të fituar, adrenalina është gjithmonë e pranishme, por nuk mendoj për çfarë fytyre të kem përballë jush, për të dhënë një shprehje apo një tjetër. Jam ai që jam. Në sport nuk ekziston frika, por dëshira për të konkurruar. I tillë është shpirti i atyre që duan të fitojnë.
A do të kthehet Fofana? Sa i rëndësishëm është për ju?
Nuk e dimë ende nëse është 100%, sinqerisht, nuk po bëj blof. Ka një problem në këmbë, do të shohim deri në fund. E ka bërë stërvitjen e fundit, por problemi është pak i veçantë dhe doktori do të na japë informacion më të saktë. Shpresoj ta kem gati.
The post “Pastaj do flas unë”, premtim apo kërcënim? Conceição enigmatik për të ardhmen: “As njëra, as tjetra…” appeared first on Telesport.
