Alexandre Pato dhe Milani, një dashuri që vazhdon ende sot. Braziliani nuk e ka fshehur kurrë admirimin e tij për fanellën kuqezi, të cilën e ka veshur me sukses dhe me më shumë se një peng.

Një sërë dëmtimesh të pabesueshme ia kanë kufizuar potencialin e jashtëzakonshëm, me Pato që vetëm pjesërisht ka arritur të tregojë gjithë talentin e tij të madh.

Në një intervistë për GOAL, sulmuesi brazilian është rikthyer të flasë për dashurinë e tij të madhe, Milanin, duke komentuar rikthimin në pankinën kuqezi të Allegrit, trajner që e ka drejtuar pikërisht gjatë aventurës së tij me “Djallin”.

Pyetjes si e ka përjetuar këtë sezon të Milanit, braziliani iu përgjigj: “Mendoj se Milani do të jetë gjithmonë Milani, por tani po bën ndryshime të rëndësishme. Së fundi ka marrë Allegrin, ndaj jam i sigurt që do të bëjë një kampionat të mirë sezonin e ardhshëm”.

Pato nuk e fsheh optimizmin e tij për sezonin e ardhshëm të Milanit: “Shikoj ndryshimet që po bëjnë, pastaj siç thashë më lart, kanë marrë një trajner si Allegri, i cili e njeh Milanin, i njeh lojtarët dhe ka marrëdhënie të mirë me Ibrahimovic. Shpresoj dhe jam i sigurt se Milani mund të bëjë mirë”.

Pato “dribloi” në mënyrë ironike dhe me buzëqeshje një pyetje lidhur me një krahasim të së kaluarës: “A ishte më i fortë Milani yt apo ai që fitoi titullin e fundit?” “Ti më the që pyetjet do të ishin vetëm dy…”, – u përgjigj me të qeshur braziliani.

Nën drejtimin e Max Allegrit, Pato ka veshur fanellën e Milanit në 58 ndeshje, në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 22 gola dhe dhënë 9 asiste. Së bashku, Pato dhe Allegri kanë fituar një titull kampion (2010-2011) dhe një Superkupë të Italisë (2011-2012).

The post Pato “vë bast” për suksesin e Allegrit: E njeh ambientin dhe lojtarët, do të bëjë mirë te Milani appeared first on Telesport.