Kylian Mbappé foli sërish pas fitores së Real Madrid, duke komentuar statusin e tij në skuadër, fishkëllimat e tifozëve dhe raportin me klubin. Për fishkëllimat në “Bernabeu”: “Duhet t’i pranojmë, është mënyra e tifozëve për të shprehur mendimin e tyre. Nuk e marr personale. Kur nuk fitojmë, njerëzit zgjedhin lojtarë për t’i fishkëllyer. Kjo ndodh në çdo klub të botës”.
Mbappé mbrojti Florentino Perez: “Është presidenti më i mirë në botë. Presidenti më i mirë në historinë e Real Madridit. Jemi me fat që e kemi. Mendoj se mënyra si është trajtuar nga disa tifozë është paksa e padrejtë, sepse pas gjithçkaje që ka bërë për Real Madridin, njerëzit nuk duhet ta harrojnë këtë. Është një legjendë e klubit dhe përfaqëson shumë për madridistët. Për ne është nder ta kemi dhe shpresoj të qëndrojë sa më gjatë”.
Mbappé komentoi edhe polemikat për udhëtimin e tij në Itali me të dashurën: “Pushime? Ju nuk e dini çfarë kam bërë në Itali. Nuk e dini nëse kam qenë me pushime apo jo, ky është vetëm mendimi juaj. Unë kam gabuar sepse nuk e kam ndihmuar ekipin të fitojë tituj, kjo është gjëja më e rëndësishme këtu. Për këtë kemi gabuar unë dhe shokët e skuadrës”.
Sulmuesi sqaroi se kishte autorizimin e klubit për udhëtimin: “Njerëzit nuk e dinë kontekstin, pse shkova atje dhe nëse kisha leje nga klubi, që në fakt e kisha. Këto gjëra vetëm shesin lajmet, pa ditur nëse kanë të vërteta në to. Fokusi im i vetëm është të fitoj trofe”.
Ai pranoi se dëmtimi në gju ndikoi shumë në pjesën e dytë të sezonit: “Kam humbur shumë kohë në një moment vendimtar të sezonit”. Për raportin me Arbeloa tha: “Ai ka mendimin e tij. Unë nuk shoh konferencat e trajnerit, sepse në shtëpi kam televizione franceze, jo spanjolle”.
Mbappé sqaron buzëqeshjen pas largimit nga Valdebebas: “Po, por unë nuk isha aty. Nuk isha prezent kur ndodhi gjithë kjo histori. Nuk mund t’ju konfirmoj nëse ka ndodhur diçka apo jo, sepse nuk isha aty. U largova nga qendra sportive pa e ditur çfarë kishte ndodhur, sepse isha i dëmtuar dhe nuk po stërvitesha me ekipin. Në fund të fundit, kam të njëjtin informacion si ju”.
The post “Perez është presidenti më i mirë në botë dhe në historinë e Real Madridit” appeared first on Telesport.
